Haradinaj: Opozita bojkoton Kuvendin jolegjitim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është bërë mbulesë për kapjen e shtetit.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Haradinaj ka thënë se partitë opozitare nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës. Ky veprim i partive opozitare, sipas Haradinajt, nuk nënkupton dorëzim të mandateve.

“Nuk dorëzohen mandatet, por deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë në punimet e një Kuvendi, sepse e konsiderojnë jolegjitim”, është shprehur Haradinaj, i cili ka bërë me dije se opozita mbetet e bashkuar në pikat për të cilat është rënë dakord më herët, pavarësisht dallimeve që mund të kenë si subjekte politike.

“Opozita ka pasur dhe ka dallime, pasi jemi parti të ndryshme politike. Por, mund t’ju them se opozita ka një qëndrueshmëri së bashku për temat për të cilat kemi rënë në dakord, për kundërshtimin e dy marrëveshjeve, për kundërshtimin e kësaj qeverie antikushtetuese dhe për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. Pra, për këto pika jemi bashkë dhe s’ka ndarje e as përçarje të opozitës”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se tash opozita do ta rrisë kundërshtimin e saj me anë të protestave deri në dorëheqjen e regjimit Mustafa – Thaçi.

Kurse sa i përket paralajmërimit të presidentes Atifete Jahjaga për formimin e një komisioni të pavarur me ekspertët ndërkombëtarë për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, Haradinaj ka thënë se kjo ide tashmë është e vonuar.

“Mendojmë se ideja për një komision të tillë është e vonuar. Pra, në bazë të rendit, i pari veprim që është dashur të ndodhë ka qenë shkarkimi i komisionit të kryesuar nga z. Meha, pastaj fillimi i një komisioni të ri”, ka deklaruar Haradinaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button