Sadiku, kandidat për lojtarin e muajit në Zvicër

Prestigjozja zvicerane Blick shpërblen Armando Sadikun për paraqitjet e tij të mira me fanellën e Vaduzit gjatë javëve të fundit.

Sulmuesi shqiptar është përfshirë nga gazeta në fjalë në 5 kandidaturat për futbollistin më të mirë të muajit Shkurt në Superligën zvicerane.

Blick e ka vendosur përkrah emrave të tillë si Michael Lang i Baselit, Danijel Aleksic i St Gallen, Theofanis Gekas i Sionit dhe Ridge Munsy i Thun-it.

Me votat e deritanishme 24-vjecari nga Elbasani pozicionohet në vendin e 3-të pasi ka grumbulluar vetëm 15,7 % të tyre.

Pasi e harroi Sadikun pas paraqitjes fantastike që zhvilloi në ndeshjen e parë me fanellën e Vaduzit ndaj ish skuadrës së tij Luganos, Blick bëri prapakthehu duke e përfshirë bomberin shqiptar në 11-shen më të mirë në 2 raste gjatë tre javëve të fundit të kampionatit helvet.

Gazeta zvicerane e argumenton përfshirjen e Sadikut në një ndër 5 lojtarët më të mirë të muajit Shkurt me këto fjalë: “Armando Sadiku i transferuar nga Zyrihu te Vaduzi në formë huazimi gjatë merkatos së Janarit ka shkëlqyer në muajin e kaluar me skuadrën e tij të re”.

Blick më tej vijon: “Sadiku golashënuesi më i mirë Zyrihut në dy fazat e para të kampionatit me 5 gola, në vetëm pak kohë është kthyer në lojtarin më të rëndësishëm të Vaduzit teksa me 3 gola dhe dy asiste në 4 ndeshjet e fundit, ka ndihmuar jashtëzakonisht ekipin nga Lihtenshtejni”.

Gazeta zvicerane e mbyll argumentimin e saj me fjalët. “Te Fc Zyrihu tashmë po e qajnë largimin e sulmuesit shqiptar”. Kjo për vetë faktin se Zyrihu po lufton për mbijetesë dhe në një moment të tillë ku gjetja e golit është kthyer në një problem, kjo skuadër do të kishte me të vërtetë nevojë për një lojtar si Armando Sadiku, transmeton supersport.al.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button