Rama: Synojmë dakordësi me opozitën, në të kundërt plani “B”

Kryeministri Edi Rama duke folur për Reformën në Drejtësi deklaroi se do të negociojë për çështjet teknike me Partinë Demokratike në Komisionin e Posaçëm të Reformës. Gjatë një interviste të dhënë për emisionin “Shih Programin” të gazetarit Enkel Demi, në TVSH, kryeministri u shpreh se nëse dështojnë negociatat, PS-ja do të kalojë në planin “B”, atë të sigurimit të votave për Reformën në Drejtësi.

Ndër të tjera ai ka folur për ndryshimet në qeveri, duke thënë se nuk do të ketë riformatim të kabinetit, por ndryshime ministrash mund të ketë. Ai ka quajtur dhe nonsens garën për kryetarin e PS-së, në një kohë që partia ka fituar zgjedhjet.

Kryeministri Rama i pyetur për reformën dhe negociatat me PD-në, tha se dialogu do të bëhet në Komisionin e Posaçëm dhe jo në tryezat e politikanëve.

“Nëse duam një reformë reale, politika duhet të bëjë një hap mbrapa dhe duhet t’ia lërë këtë punë ekspertizës më të mirë të mundshme. Duke i qëndruar këtij opinioni, besoj se kam dhënë një kontribut modest për të mos e deformuar procesin dhe përmbajtjen për shkaqe që dihen historikisht, kanë pamundësuar një Reformë në Drejtësi. Tani është momenti për të gjetur pikëtakimet, në mënyrë që reforma të kalojë. Konsensus me opozitën? S’kemi çfarë të rinegociojmë fare, se s’kemi negociuar asgjë. Do të kërkojmë patjetër që të gjejmë dakordësi pa cenuar përmbajtjen dhe pa cenuar atë çka ne e quajmë të panegociueshme. Por në rast se bëhet fjalë për teknikalitete, s’ka asnjë problem. Do të bëhet një proces në komisionin e reformës dhe në atë proces sigurisht do të kërkohen pikëtakime”, tha Rama.

Plani “B”
I pyetur se ku PS-ja do t’i gjejë votat për të miratuar e vetme Reformën në Drejtësi, nëse negociatat dështojnë, Rama tha: “Ne do të synojmë dakordësinë me opozitën dhe nuk do të fillojmë me planin ‘B”’, por me planin ‘A’. Pyetjes a janë votat për të miratuar Reformën në Drejtësi, është një pyetje për planin ‘B’. Ne do të synojmë ta bëjmë reformën me planin ‘A’, pra, me dakordësi. S’kemi asnjë arsye të mendojmë sot se si të bëjmë votat, për sa kohë kemi të paeksploruar një territor të tërë diskutimi dhe ballafaqimi me PD-në. Se kjo fjala opozitë është eufemizëm, unë i them qeveria e vjetër. Nëse dështon reforma, ka zgjedhje të parakohshme? S’kemi pse të mendojmë për dështimin, sepse jam shumë shpresëplotë që reforma do të kalojë. E shoh të vështirë të dalë ndonjë parti, të braktisë reformën, se kush identifikohet si shkak për moskalimin e kësaj reforme, përvëlohet në zgjedhjet e ardhshme”.

Riformatimi i qeverisë
Rama hodhi poshtë zërat se LSI-ja ka kërkuar Ministrinë e Shëndetësisë, apo PDIU-ja ka njoftuar largimin nga koalicioni për shkak të mosdhënies së një portofoli ministror. Rama tha se nuk do të ketë riformatim të thellë të kabinetit qeveritar. “Unë nuk besoj në ndryshimet në qeveri në kuptimin e riformatimit të qeverisë. Te kjo unë nuk besoj, por që një ministër mund të zëvendësohet me një tjetër. Kjo është që sot mendon se nuk do të ndodhë, nesër ndodh”, tha Rama.

Ndërkohë që i pyetur për shkarkimin e Canit dhe nëse ka bërë gabim me emërimin e tij, Rama tha: “Ka pasur disa ndryshime, por kanë qenë të natyrave të ndryshme. Milva u vendos, se Arbeni shkoi te Financat. S’kam bërë gabim fare me vendosjen e Shkëlqim Canit, ai ka bërë një punë shumë të lavdërueshme, në një periudhë jashtëzakonisht shumë të vështirë dhe në përballimin e një sfide shumë komplekse”, tha Rama.

Gara në PS
Kryeministri Rama, i pyetur nëse do ta pranojë garën për zgjedhjen e kryetarit të PS-së, u shpreh i gatshëm të zbatojë çdo lloj vendimi të marrë Kongresi. Por ai e ka quajtur si nonsens një garë të tillë.

“Unë jam i gatshëm për çdo vendim të Kongresit, por mendoj që gara për kryetarin e PS-së në kushtet kur partia ka fituar zgjedhjet dhe kryetari është Kryeministër, është një nonsens. Kjo është bindja ime. Është një parim shumë i thjeshtë, po jap shembullin mbi të cilin është ndërtuar ky proces në një nga partitë më të vjetra të planetit, Partia Laburiste angleze. Në momentin kur kryetari i partisë zgjidhet me parim ‘një anëtar, një votë’ dhe pastaj si kryetar partie ai fiton zgjedhjet, ai bëhet Kryeministër dhe ka katër vjet për të zbatuar kontratën që ka partia me popullin, dhe nuk mund t’i thuhet popullit që ka marrë një vendim që ‘prit pak ti se ne kemi zgjedhje’. Në rast se kryetari i partisë dhe Kryeministri nuk është duke zbatuar kontratën me popullin, partia ka të drejtë që të kërkojë zgjedhje dhe këtë e vendos Kongresi”, tha Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button