Profesori Afrim Osmani i dërgon letër Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së

Profesori universitar Afrim Osmani nga USHT-ja i ka dërguar  letër Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun. Profesor Osmani me anë të letrës kërkon që krimet kundër mjedisit jetësor të trajtohen si krime kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare. Qëllimi i kësaj ideje, iniciative apo apeli, është që të ngritet në nivel më të lartë vetëdija për mbrojtjen e mjedisit jetësor, raporton Portalb.

 

Ja letra e plotë:

I nderuari Sekretar i Përgjithshëm,

Bota është ballafaquar me disa katastrofa më të mëdha deri tani, si Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, lufta në Afganistan, në Irak, dhe së fundi në Siri. Meqë vij nga një shtet i Ballkanit, vlen t’i përmendi edhe luftërat ballkanike, shkatërrimin e ish-Jugosllavisë me luftëra të përgjakshme, lufta në Kosovë dhe intervenimi i NATO-s mbi forcat okupatore serbe, pastaj konflikti i armatosur në Maqedoni, etj. etj. Nëse duam të llogarisim numrin e të vrarëve në këto luftëra e konflikte, vështirë ta dimë saktë, ngase bëhet fjalë për miliona e miliona.

Me përfundimin e këtyre luftërave dhe konflikteve të armatosura, u themeluan edhe gjykata penale ndërkombëtare, para të cilave dolën kriminelët e luftës, ata që kryen gjenocid mbi popullatën civile, e disa nga ata madje u dënuan edhe me dënim me vdekje, disa të tjerë me burgime afatgjate apo afatshkurte. Pra, deri tani kriminelët në fjalë janë dënuar vetëm për vrasje, gjenocide etj, gjë që edhe duhej të ndodhë, por, ka edhe një diçka që vlerësoj se duhet të trajtohet si pasojë e rëndë nga të gjitha luftërat dhe konfliktet, gjegjësisht, mbi kë bie përgjegjësia për shkatërrimin e mjedisit jetësor, ekologjisë dhe vlerave ekologjike, resurseve dhe pasurive natyrore gjatë këtyre luftërave dhe konflikteve të armatosura?

Fatkeqësisht, në këtë drejtim edhe aktet ndërkombëtare, siç është edhe Konventa e Gjenevës mbi luftën, nuk parashohin një gjë të tillë, që shkatërruesit e mjedisit jetësor po ashtu të përgjigjen para drejtësisë. Meqë sot njëri nga problemet kryesore me të cilin ballafaqohet bota dhe njerëzimi është edhe ngrohja globale, shkatërrimi i mjedisit jetësor, shkatërrimi i vlerave ekologjike, shterja e resurseve natyrore, për çka faktor kyç është vet njeriu, kërkojmë nga Ju, si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, që, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit në të cilin jetojmë, krimet kundër mjedisit jetësor dhe vlerave ekologjike (ajrit, ujit dhe tokës), në veçanti gjatë situatave të luftërave dhe konflikteve të armatosura, të shpallen si krime kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, gjë e cila do të implikojë pastaj edhe ndryshime në aktet ndërkombëtare të cilat e trajtojnë këtë problematikë.

Qëllimi i kësaj ideje, iniciative apo apeli, është që të ngritet në nivel më të lartë vetëdija për mbrojtjen e mjedisit jetësor, për ruajtjen e vlerave ekologjike, për zhvillimin e resurseve natyrore, edhe atë jo vetëm nëpër vendet në të cilat zhvillohen konflikte të armatosura apo luftëra, por për të gjitha pjesët e globit. Në këtë drejtim, përgjegjësia gjithsesi do të jetë kolektive, e përbashkët. Prandaj, t’i japim rast mënyrës paqësore të zgjidhjes së konflikteve, me qëllim të parandalimit të katastrofave ekologjike. Me shpresë se kjo iniciativë do të hasë në mirëkuptim dhe miratim sa më të shpejtë.

Afrim Osmani, PhD Faculty of Law,

State University of Tetova Republic of Macedonia

afrim.osmani@unite.edu.mk afrim2002@yahoo.com

+389 70 334 332 Skopje, 22.02.2016

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button