Lëvizja BESA: Fronti opozitar do ta largojë përgjithmonë BDI-në

Lëvizja BESA dënon ashpër fushatën deniguruese që ka filluar të bëhet ndaj çdo figure që dëshiron të kontribuojë në ndryshimin e kësaj gjendjeje të pashpresë, veçanërisht për shqiptarët e Maqedonisë, që ka ardhur si rezultat i bashkëqeverisjes së VMRO-DPMNE dhe BDI-së.

Lëvizja BESA ua kumton të gjithë kundërshtarëve politikë, veçanërisht Bashkimit Demokratik për Integrim, se janë të kota të gjitha përpjekjet për ta parandaluar frontin e përbashkët opozitar, pjesë e të cilit do të jenë edhe individë dhe shoqata që nuk kanë pse të jenë domosdoshmërisht pjesë e një subjekti të caktuar politik. Konsiderojmë se duhet rrënuar një herë e përgjithmonë logjikën se individi është pronë e partisë dhe duhet t’i shërbejë partisë, një logjikë kjo me të cilën funksionoi dhe vazhdon të funksionojë BDI-ja. Lëvizja BESA konsideron se ka ardhur koha kur duhet dëshmuar e kundërta, se partitë e mirëfillta duhet të jenë në shërbim të interesave të qytetarëve.

Lëvizja BESA sqaron se, duke u nisur nga ky qëllim, ka pranuar se çështjet e koalicioneve eventuale t’ia kalojë si kompetencë Këshillit Opozitar, në të cilin BESA ka vetëm një përfaqësues dhe ku do të vendosë demokracia e numrave e jo grykësia e apetiteve politike. Jorastësisht sot pjesë e Këshillit Opozitar, përkundër përpjekjeve të pareshtura për ta ndaluar rritjen e tij, janë shoqata të shumta, intelektualë, shkrimtarë, profesionistë dhe persona që janë të interesuar që një herë e përgjithmonë ta ndalin të keqen e quajtur BDI.

Andaj, dënojmë ashpër çdo gjuhë kërcënuese ndaj çdo individi dhe shoqate, duke u kamufluar në petkun e gazetarisë. Njëherazi ftojmë jo vetëm partitë e reja opozitare, por edhe të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndryshimeve të mëdha, që bashkërisht të bashkëveprojmë dhe të dënojmë ashpër çdo përpjekje për ta manipuluar opinionin dhe t’i bashkërëndojmë aktivitetet në Këshillin Opozitar, gjithë kjo për një të ardhme më të mirë dhe për një jetë më të dinjitetshme të shqiptarëve të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button