Basha: Nuk hyjmë në zgjedhje me Ramën kryeministër

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi dje se me Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

I pyetur nëse kjo nënkuptonte se ai nuk do të shkonte në zgjedhje pa qeveri teknike, Basha u përgjigj: “Qeveri teknike, pasi Edi Rama e ka treguar botërisht se është i paaftë të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka qenë protektor dhe organizator i prishjes së zgjedhjeve. Në Korçë u kapën të filmuar duke blerë votën e qytetarëve, i çuam në prokurori dhe na mohuan komisionin hetimor. Nuk u mjaftuan me kaq, por në seancën e fundit në korrik 2012, kur opozita ishte në bojkot, prapë kaluan një ligj amnistie ku falën shitblerjen e votës në Korçë”.

Këmbënguljes së gazetarit Babaramo nëse opozita nuk do të hynte në zgjedhje pa qeveri teknike, Basha iu përgjigj: “Kushti ynë është i shpallur, s’besoj se përbën më lajm. Partia Demokratike nuk mund të pranojë zgjedhje të organizuara nga një njeri, kredencialet e të cilit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sot janë zero, le të themi edhe minus. Por, ne jemi të angazhuar në një proces reforme, dhe në këtë proces reforme, procesi zgjedhor dhe garancitë e procesit zgjedhor janë fokusi ynë. Një parakusht është edhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit…”.

Gjatë intervistës së mbrëmshme, kryetari i PD-së saktësoi se Reforma në Drejtësi do të kalonte vetëm me rekomandimet e Venecias.

Basha siguroi gjithashtu se PD-ja është unike ne qëndrimin e saj për Reformën në Drejtësi, duke hedhur poshtë edhe aludime se mund të ketë blerje votash nga mazhoranca për deputetë të opozitës.

Basha u pyet edhe për marrëdhënien me Sali Berishën dhe faktin se pse ai ka qenë i pranishëm në takimet e fundit me ndërkombëtarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button