Dino Mustafiq: Vizat janë vazhdim i aparteidit ndaj shqiptarëve të Kosovës

Përmes shfaqjes teatrale “Zemrat e njerëzve tjerë: traktati teatral i kufirit” në regji të regjisorit të famshëm boshnjak Dino Mustafić (Dino Mustafiq), aktorët shqiptarë të Kosovës dhe ata nga Bosnja dhe Hercegovina, sonte do të japin mesazhin e kundërshtimit të regjimit të vizave në mes të këtyre dy shteteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Shfaqja “Zemrat e njerëzve tjerë: traktati teatral i kufirit” është e shkruar nga skenaristja beogradase Biljana Srbljanoviq, në dy gjuhë, shqipe dhe boshnjake, ndërsa trajton çështjen e vizave që për shumë njerëz do të thotë liri dhe mundësi për tu njohur me kultura të ndryshme, duke prekur në veçanti marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Në këtë shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur të dy vendeve, Alban Ukaj, Adriana Matoshi, Armend Smajli, Jusuf Brkić dhe Jelena Kordić Kuret, që ishin po ashtu prezent në konferencë për shtyp.

Regjisori i mirënjohur kosovarë, njëherësh drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi theksoi se kjo shfaqje trajton problemin e përbashkët të dy popujve, shqiptarëve të Kosovës dhe boshnjakëve, që ishin viktimat më të mëdha të shpërbërjes së ish- Jugosllavisë. “Padrejtësisht kemi mbetur në geto, të izoluar dhe të përjashtuar nga bota e civilizuar dhe Evropa të cilës i përkasim. Padrejtësisht them, sepse për shkak të elitave tona të këqija politike ne është dashur ta ndajmë një fat trishtues të përbashkët, dhe kjo është një temë tepër aktuale , që na shqetëson sigurisht, të dy palëve” tha Sopi.

Ai tregoi se, aktualisht, Bosnja e Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe si pasojë e kësaj, procedura e marrjes së një vize është shumë e lodhshme, dhe në shumë raste edhe e pamundur, për të dyja palët.

Regjisori i mirënjohur boshnjak Dino Mustafiq, ka theksuar se kjo shfaqje, pas premierave në Sarajevë dhe sonte në Prishtinë, në prill do luhet edhe në Beograd, me qëllim që të përmbyllet trekëndëshi i njerëzve përgjegjës për heqjen e regjimit aktual të vizave ndërmjet Kosovës dhe BeH. Ai konsideron se çështja e vizave nuk është vetëm çështje burokratike dhe politike, por edhe çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Ai shtoi se për qytetarët e BeH është më lehtë të nxjerrin vizën amerikane apo kanadeze se sa atë të Kosovës, prandaj njerëzit e këtyre dy vendeve, sot janë më larg njëri tjetrit se kurdo në histori.
“Mendoj se është skandal i vërtet fakti që, kosovarët janë populli i vetëm në Ballkan për të cilit duhen vizat për të udhëtuar në Evropë. Fatkeqësisht, ky është vazhdim i aparteidit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Biljana Srbljanoviq, dramaturgia nga Beogradi ka theksuar se ajo mund të udhëtoj pa problem, qoftë në Kosovë apo BeH dhe se, sipas saj, kjo është një situatë e çuditshme kur dihet mirë që kjo po ndodh për shkak të Serbisë.

Aktori kosovar, Alban Ukaj i cili jeton dhe vepron në Sarajevë, ka deklaruar se është poshtëruese dhe nënçmuese që qytetarët e Kosovës dhe BeH duhet të udhëtojnë me viza, për t’i vizituar njëri-tjetrin.

Sipas tij, kjo shfaqje është më tepër e dedikuar për publikun në Sarajevë dhe Beograd, ku në fakt edhe qëndron problemi, por është e rëndësishme që edhe publiku kosovarë ta shoh shfaqjen dhe të mësoj se çfarë mendojnë artistët lidhur me këtë temë.

Ndërsa, Mustafiq ka shprehur besimin e tij se, shoqëria civile, artistët, biznesmenët dhe inteligjenca akademike do të vazhdojnë të bëjnë presion që, së paku të pranohen dokumentet e Kosovës dhe të liberalizohet sistemi i vizave duke mundësuar kalimin e kufijve me letërnjoftime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button