Thaçi: Zgjedhja e presidentit, pas 17 shkurtit

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, është shprehur i sigurt se presidenti i vendit do të zgjidhet brenda afatit kushtetues. Ai i ka deklaruar televizionit publik, rtk, se do respektohen të gjitha procedurat dhe afatet e parapara.

Ai ka deklaruar se dita e seancës do të jetë pas 17 shkurtit, por brenda muajit shkurt, megjithëse përsëri ka shtuar se për këtë vendos Kryesia.

Hashim Thaçi e sheh vetën si president me përvojë të duhur politike vendore dhe ndërkombëtare.

“Tashmë i jemi afruar afatit kushtetues të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Ne do ta respektojmë afatin i cili është deri më 6 mars dhe të gjitha procedurat deri në imtësi, që procesi të jetë transparent para qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është ndonjë preokupim personal, por përgjegjësi institucionale. Se kur do të mbahet kuvendi, do të vendos kryesia por mendoj dhe besoj se do të jetë në muajin shkurt. Nuk vlerësoj se do të jetë para ditës së Pavarësisë sepse jemi të koncentruar në festë dhe të mos e ngarkojmë agjendën e tetë vjetorit të pavarësisë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka deklaruar se dita e seancës do të jetë pas 17 shkurtit, por brenda muajit shkurt, megjithëse përsëri ka shtuar se për këtë vendos Kryesia.

Thaçi konsideron se zgjedhja e presidentit në Kosovë që nga paslufta është përcjellë me zhurmë, herë me të drejtë herë pa të drejtë. Por sipas tij, gjithmonë është gjetur zgjidhje, andaj kësaj radhe, ai mendon se procesi është shumë më i qartë sepse ekziston një marrëveshje të një koalicioni që i ka 2/3 e ulëseve në kuvend.

“Kemi agjendën e njëjtë. Nuk kam asnjë dilemë për të pasur ndonjë dyshim sepse kam besim të plotë në koalicionin qeverisës dhe e shoh si proces që do të përmbyllet në afatin e rregullt kushtetues dhe në respektim të marrëveshjes politike dhe të gjitha procedurave dhe një proces transparent”, është shprehur Thaçi.

Thaçi beson se “opozita do të ndërgjegjësohet dhe nuk do të shikoj që çdo çështje politike ta shfrytëzoj për interesa partiake sepse dhuna nuk do t’i sjellë asnjë votë askujt. Kjo dhunë nuk do ta dëmtojë koalicionin por shtetin e Kosovës. Kryesia e Kuvendit do të vendos për sallën e mbajtjes së seancës dhe ne do ta respektojmë këtë”.

Hashim Thaçi e sheh vetën si president me përvojë të duhur politike vendore dhe ndërkombëtare.

“Unë mendoj se të qenit president i vendit është një përgjegjësi shumë e lartë shtetërore dhe kombëtare. Unë e kam udhëhequr ekzekutivin për dy mandate dhe tashmë jam lideri më i votuar në vend. Besoj se kam përvojën e duhur politike, vendore dhe ndërkombëtare. Do t’ju shërbej të gjithë qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim. Do të respektoj të gjitha përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese që i ka presidenti”, ka thënë ai.

Thaçi bëri të ditur se brenda PDK-së është biseduar për tranzicionin që do të ndodhë në pozitën e kryetarit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, por deklaroi se nuk kanë folur për emra.

Do të shkojmë në zgjedhje, por në bazë të afatit kushtetues

Thaçi konsideron se Kosova nuk ka krizë, por ka një çrregullim veprues opozitar, një veprim arbitrar që nuk përkon fare me traditën qytetare dhe politike të Kosovë.

“Ne do të shkojmë në zgjedhje, por në bazë të afatit kushtetues. Nuk ka arsye për të shkuar në zgjedhje, përveç disponimit të partive opozitare”, është shprehur Thaçi.

Thaçi u shpreh i bindur se edhe nëse shkohet në zgjedhje, koalicioni qeverisës do të fitojë shumicën absolute, por ai theksoi se “partitë opozitare nuk do të pranojnë rezultatin dhe do të vazhdojnë me këtë avaz”.

“Nëse opozita mësohet se si t’i fitojë zgjedhjet, do të mësoj edhe si të qeverisë. Sepse nuk mund të qeveriset vendi me 5-6 deputetë apo nga një parti plotësisht anti-perëndimore apo prej një partie që mund t’i ketë 2-3 për qind aktualisht”, ka deklaruar Thaçi.

Në emisionin “Monitor” në RTK, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, në Republikën e Shqipërisë. Ai ka thënë se kjo vizitë është dëshmia më e mirë e mbështetjes së SHBA-ve për Shqipërinë, për reformat që po ndodhin atje dhe për kultivimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve.

“Vizita e sekretarit në Shqipëri, është edhe mesazh për rajonin për mbështetje të frymës euroatlantike. Deklarata e tij për Kosovën, është dëshmia më e mirë se ne duhet të rrisim përgjegjësitë tona, të ecim përpara, të shikojmë kah e ardhmja, të realizojmë përgjegjësitë tona karshi qytetarëve por edhe ndaj Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

“Vizita e Kerryt dhe në Prishtinë para pak kohe, janë mesazhet më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Këto vizita në Prishtinë e Tiranë, janë mesazhe të mira se ne jemi në rrugë të drejtë, se SHBA-të jo vetëm që janë partner, por edhe mbështetës të fuqishëm të vlerave tona. Ne do të vazhdojmë të punojmë me tërë potencialin tonë, por edhe të distancohemi nga veprimet që nuk përkojnë me vlerat demokratike, që të shkëputemi ndaj çdo logjike të izolimit”, ka deklaruar Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button