Ministri Klosi: Arsim profesional falas për emigrantët e kthyer

Në ambientet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë është mbajtur sot takimi me temë “Ri-integrimi i shtetasve të kthyer – hapat e mëtejshëm”, ku merrnin pjesë përfaqësues të qeverisë, organizatave ndërkombëtare dhe vendase që veprojnë në fushën e emigracionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në këtë takim, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi theksoi se nisur nga fakti se Shqipëria ka rreth 27 përqind të popullsisë së saj migratore, lind nevoja që të gjitha çështjet që adresojnë dinamikat e migracionit, të jenë koherente dhe të mirëintegruara në një politikë gjithëpërfshirëse.

Ndërkohë që sa u përket emigrantëve të kthyer, qeveria ka parashikuar si një masë për ri-integrimin e tyre në shoqëri sërish arsimin profesional falas. Klosi shtoi se është i domosdoshëm hartimi i një strategjie të re apo dokumenti politik mbi riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, ku të synohet parandalimi i migracionit të parregullt nga vendi dhe i keqpërdorimit të regjimit pa viza në zonën Shengen.

“Presionet e flukseve migratore nga Shqipëria dhe drejt Shqipërisë ka gjasa të vazhdojnë edhe në të ardhmen, sepse Shqipëria është gjeografikisht e ekspozuar ndaj sfidave të tilla si emigrimi dhe migracioni tranzit i parregullt, pa lënë mënjanë problematikat që dukuria mbart, si kontrabandimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Politikat e qeverisë synojnë një menaxhim sa më të mirë të fluksit migrator, inkurajim të lëvizjeve me punësim të rregullt, reduktim të kostove individuale dhe publike për emigracionin jo të rregullt, dhe ri-integrimin e atyre emigrantëve që kthehen, si dhe familjeve të tyre”, – u shpreh ministri Blendi Klosi.

Më tej ai bëri të ditur se nuk ka asnjë mundësi që një emigrant që tenton në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së, të qëndrojë atje dhe të marrë statusin e azilantit. Klosi theksoi se është e domosdoshme që edhe në këtë aspekt, shqiptarët gjithmonë e më shumë të kthejnë sytë nga arsimi dhe formimi profesional. “Ne po e themi prej shumë kohësh që ka një mënyrë për të shkuar në Europë dhe kjo është mënyra e drejtë, me një profesion në Europë mund të gjesh punë. Nëse je i shkolluar, nëse je i profesionalizuar dhe nëse ke një zanat, në Europë mund të gjesh punë”, – shtoi Klosi në fjalën e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button