Maqedonia nuk ka kapacitete për strehimin e migrantëve

Përfaqësuesit e UNHCR-së në Shkup thonë se Maqedonia nuk ka kapacitete për të strehuar migrantët nga Siria, Iraku dhe Afganistani më shumë se disa orë, transmeton REL.

Mohamed Arif, përfaqësuesi i UNHCR-së në Shkup bën të ditur se përmes Maqedonisë, kohën e fundit kalojnë transit mesatarisht rreth 2 mijë migrantë, të cilët nisen drejt Gjermanisë dhe Austrisë.

“Objektet, të cilat janë ndërtuar në Maqedoni për pranimin e migrantëve dhe infrastruktura rreth tyre, nuk mundëson qëndrimin e tyre më shumë se disa orë. Migrantët maksimum mund të strehohen gjashtë orë në qendrat pranuese. Për aq sa jam unë i informuar, nuk janë duke u bërë përgatitje këtu për të qëndruar më gjatë migrantët”.

“Pra, më duhet të theksoj se në të dy qendrat pranuese në Maqedoni, Gjevgjeli dhe Tabanoc, disponojnë me një kapacitet për të pranuar maksimum 2 mijë refugjatë, të cilët mund të qëndrojnë më së shumti gjashtë orë. Por, më duhet të përsëris, se këta dy qendra pranuese nuk janë ngritur me idenë që aty të mund të strehohen migranët një dy ose tre net”, thotë Arif.

Një tren me 1 mijë e 80 migrantë, kryesisht nga Siria, i cili mbrëmjen e së premtes ishte nisur nga Gjevgjelia, mëngjesin e së shtunës ka arritur në orën 5 e 30 minuta, prej nga migrantët kanë vazhduar rrugëtimin e tyre drejt Gjermanisë dhe Austrisë.

Autoritetet maqedonase kanë ngritur një gardh me tela duke definuar saktë rrugën prej Tabanocit, në fshatin e parë nga ana e Serbisë, Miratoc. Siç na shpjegojnë, kjo është bërë për t’i shmangur grupet kriminale, që dëshirojnë të përfitojnë duke u ofruar automjetet e tyre për të kaluar këtë pjesë të rrugës prej një kilometër e gjysmë, të cilën migrantët e kalojnë në këmbë.

Pas largimit të migrantëve drejt Serbisë, për në vendet e Bashkimit Evropian, përfaqësuesit e organizatave humanitare, që veprojnë në qendrën për pranimin e migrantëve në Tabanoc, ishin të zënë me pastrimin e tendave nga rrobat që kishin lënë refugjatët, pasi një pjesë e tyre ishin pajisur me veshmbathje të pastra.

Rreth 400 migrantë të tjerë, të cilët janë nisur po me tren gjatë mesditës nga Gjevgjelia, në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë, pritet të arrijnë në orët e pasdites në Tabanoc.
Por, askush nga ta nuk dëshiron të qëndroj në Maqedoni, të gjithë sa më parë synojnë të arrijnë në Gjermani, për ku janë nisur.

Ndryshe, të dhënat zyrtare nga dikasteri i Policisë së Maqedonisë bëjnë të ditur se përmes Maqedonisë, nga një janari i këtij viti kanë kaluar transit 63.402 migrantë, prej të cilëve 30.932 janë shtetas të Sirisë, 20.005 shtetas të Irakut dhe 12.462 janë shtetas të Afganistanit./

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button