Kadare – i dashuri dhe i urryeri ynë

Dje mbushi tetëdhjëtë vjet Korifeu i letërsisë shqipe Ismail Kadare – autori i perlave letrare, të përkthyera pothuajse në të gjitha gjuhët e botës në të cilat shkruhet letërsia.

Shuëmëkushi e përjetoi këtë si ditë të madhe feste, sepse Kadare është ambasadori i përjetshëm i kulturës shqiptare – njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të globit gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe çerekut të parë të shekullit XXI.

Kadare erdhi herët në letërsi dhe ndryshe prej të tjerëve. Erdhi me kumte dhe frymë të re, të kuptueshme lehtësisht prej titujve të lirikave dhe poemave të tij: “Frymëzime djaloshare” (1954), “Ëndërrime” (1957), “Shekulli im” (1961), “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968)…, që sugjerojnë fuqishëm lakuriqësinë e diktaturës moniste, themelet e së cilës i shkundi më pas, si askush tjetër, me prozën unikate narrative.

Kjo ngjalli shpresat e thyera të shqiptarëve të mbetur në kthetrat e ujqërve të stepës, por, njëkohësisht, trazoi keq shpirtin e rojeve të namuzit zhdanovist, ngjalli xhelozinë e buklave letrare nga e cila nuk është imune asnjë kulturë, ndërseu inatet e armatës mediokre, të vënë në kërkim të qimeve në vezë, të cilët e akuzuan shkrimtarin për titujt aristokratë e turbullues të librave, për shkrimet që përpuzin pushtetin dhe sistemin monist, për përmbajtjet dhe format që shmangin kodet e relizmit socialist, për talljet e pushtetit dhe pushtetarëve, për antiheronjtë e padurueshëm për letërsinë bardh-e-zi, për krijimtarinë me frymë dekadente e revizioniste…

Më tragjikja është se në krye të mësyemjeve antiKadare që e bënë veprën e tij pjesë debatesh edhe në mbledhjet e Komitetin qendror të partisë ishin disa kritikë arti dhe disa kolegë krijues të shkrimtarit “mëkatmadh”, të cilët sot i nxjerr sheshit një nga një nga studiuesi Shaban Sinani, autori i dy vëllimeve “Dosja K”. Megjithatë, për ironi të fatit, pikërisht hafijet e devotshme të mendësisë zhdanoviste, e akuzojnë sot Kadarenë për të kundërtën dhe e quajnë ideator të bolshevizmit shqiptar, pavarësisht se, për konsumuesit e artit të vërtetë, vepra e tij është fund e krye antidiktaturë.

Këtë e vërteton autori i studimit “Dosja K”, i cili, duke folur për pasojat e gënjeshtrës së stërpërsëritur kundërkadareane, thotë se në mijëra dokumentet e konsultuara arkivore nuk ka gjetur asnjë letër denoncuese të Kadaresë kundër ndonjë kolegu të tij shkrimtar a kundër ndonjë vepreje letrare, ashtu siç bënë të tjerët kundër tij. Të tillët, të tmerruar prej çmimeve prestigjioze që merr makthi i tyre nga atdheu i Shekspirit (Man Booker International Prize), Servantesit (Premio Principe de Asturias de las Letras), Dantes (Lerici Pea), Bodlerit (Kryqi i Legjionit të Nderit)… edhe aktualisht nuk kanë mision më parësor se pengimin e marrjes së çmimit Nobel nga Kadareja, me çka tregojnë sa bie sahati në kulturën e populluar me skribomanë, snobë dhe mediokritete.

Sidoqoftë, Kadare mbetet personaliteti që, nëpërmjet veprës letrare, vazhdon të emancipojë një kulturë të rrezikuar shumëdimensionalisht, të kultivojë një shije estetike ndryshe, të mbjellë idealin e lirisë, në kuptimin e gjerë të fjalës, të mëkojë shpirtërat e mbetur peng dikataturash dhe demokracishë të shpifura.

Kadarenë e duan dhe do ta duan ende më shumë nesër shqiptarët dhe jo vetëm. Sa më parë dhe sa më mirë ta kuptojmë këtë, aq më i shëndetshëm do të bëhet shpirti ynë klektiv, sepse etnitë vlejnë aq sa i falin botës Prometejë të kalibrit të Tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button