RDK dhe Komuna e Gostivarit, përplasen për transportin e nxënësve

“Dita e parë e fillimit të shkollës pas pushimit dimërorë, fillon me probleme dhe me manipulime që e ka karakterizuar Komunën e Gostivarit që nga dita e parë e marrjes së Komunës. Dega e RDK-së në Gostivar reagon ashpër ndaj manipulimit të madh që bëhet me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, duke i detyruar që të paguajnë për transportin e nxënësve edhe pse transporti i tyre është falas për të gjithë fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme”, kanë akuzuar nga RDK.

Nga Komuna e Gostivarit, justifikohen se procedura tenderike është kryer me kohë dhe operatori kryesor është zgjedhur sipas kritereve të paracaktuara me ligjin për furnizime publike. Kontrata me operatorin kryesor është nënshkruar me datë 19 Janar – 2016.

“Për shkaqe teknike nga ana e operatorit kryesor, në ditën e parë të fillimit të procesit arsimor të gjysmëvjetorit të dytë shkollor, janë hasur mangësi në realizimin e transportit publik të nxënësve. Me vërejtjen e këtyre anomalive, ndërmorëm të gjitha hapat e duhura duke rënë në kontakt me operatorin kryesor. Pasi u sqaruan të gjitha dilemat, nga dita e Hënë, do të vijohet me procesin e rregullt të bartjes së nxënësve sipas kontratës së nënshkruar me operatorin kryesor”, thuhet në kundërreagimin e Komunës së Gostivarit.

Sipas RDK-së, në ditën e parë të fillimit të gjysmë vjetorit të dytë, të gjithë nxënësve dhe transportuesve të transportit të nxënësve u është dhënë urdhër që secili nxënës personalisht të paguaj transportin nga dita e sodit e deri më 05 shkurt të vitit 2016.

“Ky është skandal i paparë nga ana e Komunës së Gostivarit që në emër të transportit të nxënësve detyrohen nxënësit të paguajnë privatisht. Opinioni publik duhet të kuptoj qartë se për çfarë arsye detyrohen nxënësit të paguajnë për transportin e nxënësve. A ndodh kjo për shkak se Komuna e Gostivarit është vonuar me shpalljen e tenderit publik për transportin e nxënësve, apo tentohet të bëhet ndonjë manipulim tjetër, që është karakterizim i kësaj udhëheqësie komunale. Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të marrin masat e duhura për zbardhjen e këtij skandali të Komunës së Gostivarit”, thuhet në deklaratën e RDK-së.

Në ndërkohë Komuna e Gostivarit kërkon ndjesë për situatën e krijuar, sipas tyre, pa dashje.

“Shprehim habinë se si një subjekt politik shfrytëzon një moment të tillë për të dalur në opinion dhe për të bërë politikë ditore në kurriz të fëmijëve. Kujtojmë këtë subjekt politik se Komuna e Gostivarit ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2015 / 2016 të fillon në të gjitha shkollat dhe pa asnjë problem”, thuhet në kundërreagimin e Komunës së Gostivarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button