Restitutio in integrum apo rei vindicatio?!

(Kthim prapa apo hapërim i guximshem drejt ardhmërisë më të mirë!)

Atmosfera artificiale e vetëkenaqësisë fiktive të njërit bllok nacional kundrejt pakënaqësisë nebuloze të bllokut tjeter nacional e mbizotëroi vitet e fundit skenën politike në Maqedoni dhe trazoi shpirtërat e pafajshëm të njerëzve të thjeshtë, të cilët për të satën herë, u bënë objekt i lojës bixhoze të politikanëve mediokër të këtij nënqielli, të cilët sa herë që mërziten me monotoninë e profesionit të tyre, dhe për të kamufluar dështimin e tyre në sferën ekonomike, i qasen lojës së tyre të preferuar të provokimit të ndjenjave të fjetura dhe të pashëruara nga helmi i xhelozisë dhe mosdurimit nacional dhe të instinktit të pasigurisë dhe të rrezikimit nga tjetri, me të vetmin qëllim për të hequr vëmendjen nga detyra parësore dhe misioni esencial i politikës moderne perëndimore, e cila që moti e ka braktisur politikën famëkeqe të dominimit të dhunshem të një kombi mbi tjetrin, dhe ka për preokupim prioritar sigurimin e mirëqenies ekonomike dhe ekzistencës dinjitoze materiale të bashkë-qytetarëve dhe kultivimin e tyre shpirtëror.

Kështu, nga njëra anë, kemi një popullatë nacionale të ushqyer me dekada me ideologji të gabuar të predomininit dhe të rrezikut permanent nga taborri tjetër nacional, duke mbjellur kësisoj një psikologji të refuzimit apriori të çdo gjëje që vjen nga fqinjët e tyre të kombit tjetër, dhe nga ana tjetër kemi një popullatë tjetër nacionale e cila fqiun e ka shikuar vazhdimisht me një dozë dyshimi dhe mosbesimi, duke e konsideruar si pushtues, si shfrytëzues dhe diskriminues, si një dinak prej të cilit duhet ruajtur se mos po përgatit si gjithëherë ndonjë kurth apo pabesi të rradhës.

Një psikologji e tillë nuk është në fakt risi për historinë e gadishullit ballkanik, por kjo e ka mbizotëruar edhe gjithë historinë e zhvillimit të njerëzimit nëpër sisteme dhe shekuj. Megjithatë, nëse kjo idelogji për perëndimin konsiderohet tashme si “e perenduar”, në gadishullin ballkanik duket se akoma konsiderohet se është “në lindje”, pasi që assesi nuk është duke rreshtur, por përkundrazi rilind si feniksi në mënyrë të vazhdueshme. Në qoftë se bota perëndimore e ka kuptuar absurditetin e psikologjisë së rivalitetit dhe dominimit të dhunshëm ndërmjet kombeve, dhe ka përqafuar një psikologji tjetër garuese më të padhimbshme, atë të rivalitetit ekonomik dhe kulturor ndërmjet kombeve, kjo për fat të keq akoma nuk ka të ngjarë në këto troje, përkundër dëshirave dhe aspiratave verbale të bashkangjitjes fizike kësaj botë të qytetëruar.

Nga kultura e përgjithshme, të gjithë ne kemi njohuri elementare historike për atë se sa luftëra ndërnacionale janë zhvilluar në botë dhe si kanë rezultuar ata. Poashtu të gjithë jemi deshmitarë se në botën perëndimore as që bëhet fjalë dhe kurrkujt nuk i shkon më mendja për këto gjëra. Dhe s’mund të mos e pyesim vetën, përse ndodh kjo? A nuk qëndron shpjegimi për këtë transformim psikologjik të mendësisë së këtyre popujve në absurditetin dhe kotësine primitive të psikologjisë së ketillë të dominimit të dhunshëm ndërmjet kombeve? Si ndodhi kjo pjekuri politike civilizuese te popuj që me shekuj kanë qenë armiq të përbetuar të njëri tjetrit?! Si u pajtuan vallë anglezët me francezët, dhe këta të fundit me gjermanet, etj. dhe si është e mundur që kjo të mos ndodhë me popujt e Ballkanit, edhe përskaj prezencës se bollshme të vëzhguesve të pjesëtarëve të popujve të botës perëndimore? Pse ne thjesht nuk duam ta lexojmë reçetën” gjegjësisht “liçencën” e flakjes së kësaj ideologjie dhe të përqafimit të ideologjisë së afrimit, dashurisë ndërnacionale dhe madje të tendencës së bashkimit ndërmjet tyre? Mjafton vetëm të lexojmë dhe ta kuptojmë nëpërmjet mjeteve të komunikimit se cila është kahja që e kanë marrë ata, dhe cila është kahja e udhëtimit tonë nëpër jetë. Kahja e tyre është hapërimi i guximshëm përpara, drejt ardhmërisë së paqes dhe dashurisë, drejt begatisë materiale dhe shpirtërore, për dallim prej nesh, të cilët i shikojmë me xhelozi për rehatinë e tyre shpirtërore dhe materiale, por kur i takojmë rrugës, nuk e verejmë se jemi duke ecur në drejtim të kundërt, se po kthehemi prapa.

Me një fjalë, edhe sakohë do tëduhettëpresim për përmbylljen në mënyrë të përhershme të çështjeve të kontestueshme ndërmjet dy kombeve me shumicë në shtetin tonë binacional, në mënyrë që përfundimisht të krijohen kushte të volitshme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për përkushtimin e vëmendjes ndaj progresit kulturor dhe shkencor, për t’u bërë kësisoj përfundimisht pjesë e kombeve të qytetërimit europian. Prandaj, përkunder aspirimit drejt “iluminizmit” modern perëndimor, vendnumërimi dhe rikthimi qorras prapa mund të na shpiej vetëm drejt pezmatimit dhe helmimit të mëtejshëm biologjik dhe shpirtëror të organizmit të shtetit dhe të zhytjes së tij të pakthyeshme në detin e errësirës mesjetare.

Përkundrazi, zgjidhja definitive qëndronnë taktikën gjegjësisht mjetin juridik të quajtur në drejtësi “rei vindicatio”, nëpërmjet të të cilit kërkohet pronësia e humbur e tokës, dhe jo rikthimi në gjendjen e mëprashme. Thënë figurativisht, fitimi i së pari të drejtës origjinare në pronësisë gjegjësisht shpallja e shqiptareve dhe maqedonasve për bashkepronarë ideal dhe real mbi tokën e përbashket të quajtur Maqedoni, do të zgjidhte tëgjitha çështjet kontestuese ndërmjet ketyrë dy hisetarëve, sepse atehere edhe te drejtat edhe obligimet e tyre do te rregulloheshin dhe precizoheshin më saktë, falë ligjeve të ekonomisë së tregut të lirë, ku “fitimi” gjegjësisht profiti ekonomik ndahet pergjysmë ose varësisht prej investimit paraprak të mjeteve në firmën e përbashkët. Në rastin konkret, “investimi” figurativisht nënkupton përqindjen nacionale dhe “fitimi” nënkupton ndarjen e barabartë të pushtetit dhe shfrytëzimin e barabartë të fryteve të këtij pushteti, që konsiston në ushtrimin e pushtetit dhe të drejtave dhe privilegjeve që dalin prej tij.

Një krahasim i tillë simbolik nuk është edhe shumë larg realitetit tonë politik. Nuk do të ishte keq të reflektojmë seriozisht në këtë drejtim, sepse sa më parë të kuptojmë se frytet e punës së përbashkët duhet të ndahen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, aq me shpejt do të parandalonim epilogun ngjashëm me dy ortakë apo dy vllezër qe s’mund teëmirren vesht, dhe vendosin që secilit te shkoje ne drejtimin e vet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button