Qyteti universitar i Tetovës: sa të rinjtë i “afrohen” librit?

Tetova e dy universiteteve dhe pesë shkollave të mesme pret ndërtimin e bibliotekës së re. Do të jetë kjo shtëpi bashkëkohore e librit, e cila pritet të shtojë interesimin e të rinjëve për lexim.

Pyetjen a është në rritje apo bie interesimi i tetovarëve për librin ua parashtruam fillimisht atyre që jetojnë nga leximi. Kështu, profesoresha e Gjuhës dhe letërsisë shqipe Xhemazije Rizvani mendon se, në kohën në të cilën jeta është bërë shumë dinamike dhe kur teknologjia e ka bërë të sajën, të rinjtë parapëlqejnë mënyrën “fast” të të jetuarit, ndaj dhe lexojnë pak. Ajo mendon se sot lexohet sa për të kryer detyrat e dhëna nga mësuesi, prindi apo punëdhënësi. “Çka mund të presim tjetër në një shekull kur nëpër forume ngritën dilemma të tipit a po vdes libri, thotë ajo.

I të njëjtit mendim është edhe profesori universitar Salajdin Saliu, i cili thot se te ne lexohet shumë pak. “Sipas bindjes sime, sot dominon leximi horizontal, pra nëpërmjet ekranit, se sa kemi lexim vertikal, pra i librave, që i bën dijet e qëndrueshme. Të lexosh pa gjykim kritik do të thotë të manipulohesh. Sot dominon ky lloj leximi. Nuk jam kundër librit elektronik, por me sa shoh, në këtë lexim horizontal nuk lexohen këto libra, por gjëra të parëndësishme”, tha Salajdin Saliu.

Për të kuptuar më shumë rreth interesimit të tetovarëve për librin, Portalb e pyeti edhe drejtoreshën e Bibliotekës së Tetovës – Fitore Reshitin, e cila tha: Biblioteka e Tetovës ka 5000 lexues të rregullt nga të gjitha moshat dhe profesionet, që nga fëmijët, nxënësit, studentët, të puëesuarit dhe pensionistët. Sidomos dy vitet e fundit kemi një tendencë në rritje të interesimit për leximin e librit nga të rinjtë. Pra, mund të themi lirshëm se Biblioteka e Tetovës aktualisht është “lider” në nivel vendiu për sa i përket numrit të lexuesve dhe vizitorëve të cilët frekuentojnë çdo ditë bibliotekën e qytetit”.

Fjalë të mira të favor të interesimit të rinisë studentore për librin tha dhe Arbana Ajdini, e punësuar në Bibliotekën e Fakultetit të Filologjisë dhe Filozofisë në UT-së:
“Sa i përket Bibliotekës së Fakultetit Fiologjik dhe atij Filozofik, intersimi i studentëve është tejet i lartë, saqë  shpeshherë nuk ka edhe vende të mjaftueshme për studentët e  intereresuar që shprehin dëshirë të lexojnë. Edhe pse orari  i punës në bibliotekë, gjatë viteve të fundit është zgjatur nga ora 8:30 – 21:00, përsëri  duket qartë nevoja për kohëzgjatje të orarit dhe për një numër më të madh të leximoreve, pasi studentët lexojnë dhe studiojnë deri në minutat e fundit të orarit të punës në bibliotekë. E njëjta gjendje është edhe në bibliotekat tjera të Universitetit të Tetovës”, deklaroi ajo.

Për studentin dhe anëtarin e Bibliotekës së Tetovës Jusuf Ajredinin, zhvillimi i hovshëm i teknologjisë nuk ndikon tek ata që e duan dhe dinë vlerën e vërtëtë të librit.  Unë, thotë ai:
“Krahas literaturës profesionale, në bibliotekën e qytetit lexoj romane që më japin një impuls pozitiv, duke më larguar nga rutina e zakonshme e jetës”.

Sidoqoftë, kultivimi i lexuesve dhe betaja për t’ua ofruar sa më pranë librin të interesuarve është e përhershme. U bie hise institucioneve arsimore e kulturore që të vazhdojnë përpjekjet e tyre në këtë plan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button