Elbasan: Bora bllokon zonat e thella dhe aksin Librazhd-Peshkopi

Reshjet e dëborës kanë sjellë probleme edhe në Qarkun e Elbasanit. Situatë më e rëndë njoftohet për zonat e thella malore të Librazhdit, Gramshit dhe Elbasanit.

Në Librazhd është bllokuar aksi rrugor që lidh këtë qytet me Peshkopinë. Trashësia e dëborës në lartësitë e Fushë-Studenit dhe në Stëblevë kalon mbi 40 centimetra. Prej orëve të para të mëngjesit në këtë aks rrugor po punon një borëpastruese e cila ka përparuar dhe ka mundur të çajë disa kilometra me dëborë. Por qarkullimi i automjeteve lejohet vetëm me zinxhirë.

3Edhe në Qafë-Thanë ka pasur probleme me borën dhe ngricat. Në këtë aks, bora është pastruar vazhdimisht gjatë natës dhe njëkohësisht është hedhur skorje. Qarkullimi i automjeteve kryhet vetëm me zinxhirë, ndërsa aksi monitorohet edhe nga policia e qarkullimit rrugor.

Fshatra të thellë malorë në përbërje të njësive administrative si Lunik, Stëblevë, Stravaj, Polis, Rrajcë, Hotolisht, Komuna Qendër  etj. në Librazhd e Përrenjas ndodhen nën pushtetin e dëborës dhe kanë vështirësi në komunikim me rrugët kombëtare e qendrat urbane.

E njëjta situatë paraqitet në Lenie, Poroçan, Skëndërbegas, Sultë, Kodovjat etj. në Bashkinë Gramsh. Rruga që lidh Elbasanin me Gramshin është e përmbytur nga hidrocentrali i Banjës në fshatin Drizë. Komunikimi me këtë qytet kryhet vetëm me anë të rrugës së vjetër që kalon nga Tregani.

2Në Elbasan, probleme me dëborën kanë njësitë administrative Labinot Mal, Zavalinë dhe Funar. Por këtu gjendja paraqitet më e lehtë.

Në disa fshatra të Qarkut Elbasan ka pasur dhe vazhdon të ketë mungesë të energjisë elektrike si pasojë e këputjes së përcjellësve, shembjes së shtyllave apo mbingarkesës.

Për përmirësimin e gjendjes janë angazhuar të gjitha kapacitetet motorike dhe njerëzore si dhe vetë komunitete, transmeton Shekulli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button