Rini që shtyp taste

Megjithëse kishte kaluar shumë kohë, kokën nuk e ngriti për asnjë moment. Kurrizi i saj i kërrusur, nga larg më ngjante si degët e pemëve në dimër që i dorëzohen borës, e cila me një qetësi të pashembullt zë vend e rëndon mbi to.

Nuk ishte vetëm. Bashkë me të ndodheshin edhe disa ‘pikëpyetje’ të tjera që rrufisnin makiato. Me një përqendrim spektakolar, shtypnin tastierën e telefonit, ndërkohë që mimika e fytyrës së tyre merrte herë pas herë forma të çuditshme. Qeshnin me vete, gëzonin, nxirrnin gjuhën, ngërdheshnin fytyrën, por shumë rrallë e ngrinin kokën lart. Herë-herë ngatërroheshin dhe rrufisnin edhe makiatot apo ujin me klor të njëri-tjetrit. Rrallë herë flisnin bashkë.

Edhe kur e bënin, flisnin jashtë kontekstit. Në fakt më shumë murmurisnin dhe kurrë nuk e shihnin njëri-tjetrin në sy. “Më bëj ‘like’ dhe ‘koment’ tek fotoja që hodha në instagram, si më duket bluza që kam blerë, apo a m’i nxjerr në pah format fotoja”, janë disa nga bisedat që dëgjohen edhe pse largësia është mjaftueshëm për të mos dëgjuar njëri-tjetrin.

Pasi tërheqin edhe nga një gllenkë nga uji me klor i bovillës, nisin sërish të shtypin ato taste të mallkuara. Dhe rituali vazhdon, përsëritet gjithnjë. Një gllenkë makiato, ujë me klor, ca foto duke fryrë buzët dhe sërish vazhdojnë ‘kerrc-kerrcet’ e tastierave që kushtojnë miliona lekë. Vetëm një moment pashë që në fytyrat e tyre pati një gëzim gati-gati fëmijëror.

Në tavolinën ngjitur, një vajzë lexonte e patrazuar një libër. Qeshnin me piskama edhe pse vajza ngjitur vazhdonte të lexonte e qetë. E quanin të mjerë vetëm pse telefoni i saj nuk kushtonte më shumë se 3 mijë lekë, të prapambetur pse xhinset e saj nuk ishin të grisura te këmbët dhe veshja e saj ishte normale, të vetmuar pse po lexonte një libër. Kakarisën derisa tërhoqën vëmendjen e të gjithëve dhe vazhduan sërish ‘kerrc-kerrcet’ e tyre… Ato tastiera të mallkuara i shtypin deri sa t’i zërë gjumi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button