VENDBANIMI TERRI

Saherë që më bie rasti të jem në mesin e njerëzve, qofshin ata të rinj ose të moshuar, qofshin gra a burra, gjithmonë do të dëgjoj të flasin për partitë, për liderët partiakë të pozitës e opozitës, për ministra e për kryeministrin. Për fudbollistë më pak. Ndërkaq për figura të rëndësishme të kulturës shqiptare, për libra, për piktura – jo. Me përjashtime të vogla.

Nuk do të kisha dashur që kultura e artet të jenë përjashtime .

Do të pyesni pse?

Po unë mendoj se popujt që jetojnë në vende të zhvilluara ekonomikisht nuk mërziten fort se cili është kryetari i partisë pozitare e cili i partisë opozitare. Shumë syresh nuk e dinë as kushtë kryemnistër, madje as kryetar shteti. Nuk mërziten ata shumë për këto punë.

Pse të të mërziten? Në këto vende njerëzit mendojnë si ta kalojnë fundjavën, si t’i kalojnë pushimet vjetore, si të fitojnë më shumë. Mendojnë për profesionin e tyre. Për punën e tyre. Dhe, mërziten, gjithsesi për jetën kulturore të vendit, për të arriturat teknologjike, për sukseset e shkencës. Për ato gjëra që i japin përmbajtje jetës.

Për politikën le të mendojnë ata që janë të paguar rrast për punën e tyre. Siç ndodh në vendet e zhvilluara.

Studentët në ato vende e qajnë zanatin e tyre dhe dalin profesionistë të shkëlqyeshëm. Atje edhe lexohet shumë. Atje edhe botohen shumë libra.

Te ne është ndryshe.

Një aktivist i dikurshëm i partisë dhe njeri “i rëndësishëm” në kulturë më ka thënë: “Nuk lexoj, se nga leximi më dhemb koka”!

Leximi për njerëzit e sojit të tij është ndëshkim.

Por, këta njerëz edhe fitojnë pse nuk lexojnë. Se po të lexojnë do ta marrin vesh se e vërteta është e shenjtë dhe, si e tillë pengesë në marifete. Kështu “të paknushëm” rrinë rehat duarkryq dhe e mësojnë se gënjeshtra dhe mashtrimet janë të levërdishme.

Kjo u duhet.

Shpeshherë, njerëzit si këta punësohen në vende të rëndësishme. Bëhen shefa sesktoresh për kulturë. Bëhen drejtorë.Bëhen edhe profesorë, besa. Meritë “e madhe” e tyre është se kanë ngjitur pllakate e afishe në fushatat parazgjedhore, pse përpiqen ta imitojnë kryetarin e tyre nëpër mbledhjet e nëndegës me ngritje e ulje zëri, me retorikë e me leksik.

Nëpër shkollat tona të shumta të mesme (gjithsesi shumë syresh të panevojshme), nëpër inflacionin e universiteteve ku është përfshirë e tërë rinia, çfarë mund të bëhet tjetër përveç se të pritet të kalojë koha. I rralli aty e gjen vetveten. Dhe, kështu i numëron yjet me vite. Aty ku rrihet duarkryq, libri nuk ka vend.

Këtu te ne edhe dija është përjashtim.

Te ne studentët e letërsive të ndryshme me shumicë e mbarojnë fakultetin pa e lexuar as një libër të vetëm. Ata të anglishtes mund të mos kenë dëgjuar për Shekspirin, të frëngjishtes Për Viktor Ygonë, të gjuhës shqipe s’e dinë kush është Fan Noli, ka edhe studentë të gjuhës maqedonase që nuk e dinë se cilës familje të gjuhëve indoevropiane i takon gjuha e tyre.

As medicina nuk i ka punët më mirë. Po e pate atje babanë, po e pate nënë, gjyshen dajën, tezen apo xhaxhanë në fakultet, me siguri arrin te diploma. Madje do të mjaftojë edhe një kushëri i largët apo një anëtar i partisë në të cilën je edhe vet aktiv.

Këso kënge këndohet thuajse në të gjitha fakultetet.

E kur e marrin diplomën krenohen se si janë nxjerrë nëpër provime pa ditur.

E si mos të ndodhë kështu kur ndoshta edhe Makedonski Brodi, S. Nikole apo ndonjë qytezë tjetër – sot krenohet se ka universitet. Universitet këtu, universitet atje, unëversitet në lagjen time, universitet në lagjen tënde. Gjithkund.

Gjithkund njerëz me diploma. Të përgatitur profesionalisht pak. Edhe këta e kanë vështirë të depërtojnë sepse partia është mur i pakapërcyeshëm drejt karrierës,

Po çarja?

Çaren të rinjtë e kërkojnë jashtë vendit.

Dhe dalëngadalë ky vend yni shndërrohet në një vendbanim pleqsh. Një vendbanim i territ.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button