NGA KËNDI I VARFIT

Iku dhe ky vit. Theu qafën me litarët nëpër këmbë, duke lënë pas shijen e ajrit të squfurt dhe udhëkryqet e pikëpyetjeve të vjetra.

Mëgjithatë, ai iku dhe ti duhet të festosh si të tjerët, pa çka se nuk ke arsye, nuk ke me kë, nuk ke me se.

Lëre mëdyshjen, pashë Atë që lëviz mjegullat! Bën kinse dhe festo.

Harroje të shkuarën, dhembjet, frikën, makthin… Ëndërro ditë të bardha. Merre sikur dhe shpreso.

Shpreso dhe mos kërko shkas me tamam për t’u ndjerë i lumtur në botën e padrejtë, ana më e katrantë e së cilës qe kësmeti yt.

E kuptoj: nuk e ke kollaj, ama e di gjithashtu se askush nuk do ta ngryste jetën më bindshëm se ti dhe askë nuk do ta shpërfityronte ajo më dhembshëm se ty.

A i dëgjon krismat, rafalet, detonimet? A i sheh xixat farfuritëse si stolisin qiellin? Është mesnatë, prandaj. Erdhi viti i ri. Haj, gëzuar!

Bota bën qejf, Varfi! Gabzherri, lukthi, zorra e trashë… Lum si ata që i kanë punët për të gëzuar dhe sofrat plot!

Duro! Vetëm edhe pak, sa të harxhohen fishekzjarret, sa të qetësohet shkallëshkallshëm  dynjaja, që të lindë dielli edhe për ty.

Njerëzit janë lodhur feste dhe ditën e parë të vitit e bëjnë gjum. Do ta bëje dhe ti njësoj, po ta kishe atë fat. Pranoje! Prandaj mos u hidhëro që kontejnerët do të jenë të shprazur deri vonë pasdite, kur të zgjohet qyteti për t’u bërë gati për natën e dytë të festës.

Durim, pra! Mbaje veten burrë se nuk kris kijameti nëse rri pa ngrënë vetëm edhe disa orë. Ja, sa të pastrohen shtëpitë prej qeseve të zeza me bukën tënde të përditshme, me fatin tënd të zi përbrenda.

Tani unë po shkoj, Varfi. Qe besa, jam i lodhur, se një herë në vit festohet kësisoj. Dhe, si të thashë: hiq mos ta nijë! Dita e re, nafaka e re! Veç kujdes kur të kalosh udhët e kur t’u turresh kontejnerëve. Kadillakët e aristokratëve të katudit të madh shkojnë hëzli dhe, mos e dhashtë Zoti!, e prishin me fund festën tënde.  

Hajt, gëzuar!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button