Universitetet që pëlqehen më shumë janë në Britani

Universitetet angleze “shkëlqejnë në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, sipas UK Higher Education International Unit 

Nga Brendan O’Malley

Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe është udhëheqësja botërore e cilësisë së arsimit universitar Bachelor për studentët ndërkombëtarë; me studentët ndërkombëtarë që e rendisin MB në vend të parë për kënaqësinë studentore, së bashku me SHBA-në, Kanadanë, Australinë, Gjermaninë dhe Zelandën e Re, zbuloi kërkimi.

MB gjithashtu “shkëlqen në mësimdhënie dhe mësimnxënie”, sipas studimit të nxjerrë nga UK Higher Education International Unit.

Sidoqoftë, studimi thekson se SHBA dhe Kanada po përjetojnë rritje më të shpejta në tregun e thithjes së studentëve ndërkombëtarë sesa Mbretëria e Bashkuar.

Kërkimi “Studentët Ndërkombëtarë: Avantazhi konkurrues i Mbretërisë së Bashkuar”, ekzaminon ndryshimet që kanë ndodhur midis viteve 2008 dhe 2014 dhe tregon se kënaqësia e studentëve ndërkombëtarë në MB është 91% e madje, kënaqësia është rritur në çdo fushë të përvojës mësimore.

Studimi zbuloi se 85% e studentëve ndërkombëtarë në MB,  ishin të gatshëm t’ua rekomandonin përvojën britanike të tjerëve; MB përbën normën më të lartë të rekomandimit nga të gjitha vendet anglisht-folëse.

Universitetet britanike e kanë matur përmirësimin e kënaqësisë studentore në 75 nga 84 faktorë vlerësues të kënaqësisë. Raporti thotë që MB ka normat më të larta të kënaqësisë në krahasim me konkurrentët e saj, për të gjitha dimensionet e përvojës studentore: kënaqësi e përgjithshme, studim, mbështetje dhe përvojë jetese.

“Dukshëm, Mbretëria e Bashkuar shquhet ndër konkurrentët e saj arsimorë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, me normat më të larta në 15 nga 23 faktorë të mësimdhënies dhe përvojës së të mësuarit; ka rritur kënaqësinë në çdo dimension të përvojës së të mësuarit, që prej vitit 2007”, thotë raporti.

Mbretëria e Bashkuar ka gjithashtu kënaqësinë më të madhe ndaj kostos së jetesës krahasuar me konkurrentët e saj edhe në këtë drejtim.

Ministri britanik i Shkencës dhe i Universiteteve Jo Johnson tha se rezultatet tregojnë që studentët ndërkombëtarë “mund të presin realisht një standard të kalibrit botëror në studimet e tyre” kur ata vijnë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Studentët ndërkombëtarë janë shumë të mirëpritur në MB dhe luajnë një rol të rëndësishëm në të bërit e sistemit tonë edukativ një ndër më të mirët në botë. Reformat në arsimin tonë të lartë po e vendosin studentin në zemër të sistemit, duke u kujdesur që të gjithë studentët të marrin një arsimim të cilësisë së lartë, ngado qofshin ata”, – thotë ai.

Drejtori i Zyrës Ndërkombëtare të Arsimit të Lartë në Mbretërinë e Bashkuar, Vivienne Stern tha që konkluzionet e raportit vërtetojnë punën që universitetet në MB janë duke bërë për të përmirësuar vazhdimisht përvojën studentore. Por nuk ka vend për vetëkënaqje pasi edhe vende të tjera janë duke rritur përpjekjet për të tërhequr studentë ndërkombëtarë përmes një norme rritjeje më të shpejtë.

Kjo është pavarësisht faktit që numri i studentëve ndërkombëtarë jashtë vendeve të BE është rritur me 46% që nga viti 2007, sipas raportit.

“Mbretëria e Bashkuar duhet që bashkërisht të kapitalizojë fuqinë e saj të dukshme drejt rritjes së qëndrueshme të këtij përbërësi kritik të sistemit të arsimit të lartë britanik dhe të ekonomisë së saj më të gjerë”, – thotë Stern.

Autori i raportit Will Archer, drejtor ekzekutiv, shton: “Një faktor kyç që e udhëheq rritjen e vazhdueshme është aftësia e treguar e universiteteve britanike për të mbajtur premtimin për një eksperiencë universitare të niveleve botërore. Rritjet në të gjithë faktorët e përvojës mësimore universitare e në të njëjtën kohë, mbajtja e standardeve të larta për studentët në periudhën e rritjes, janë për t’u vlerësuar”.

Profesor Steve Smith, ish-kancelar i Universitetit të Exeter-it, thotë: “Reputacioni ka rëndësi, por ajo që ka rëndësi më shumë është fakti si na rendisin studentët ndërkombëtarë. Ky raport na jep neve një përgjigje definitive.

Larmia e ekselencave mes universiteteve britanike nënkupton që studentët mund të gjejnë degën e duhur për veten dhe më e rëndësishmja, përfitojnë një përvojë me cilësi botërore gjatë kohës së kaluar aty”. 

Rritja e konkurrencës

Gjithsesi, pavarësisht nga përfundimet pozitive për Mbretërinë e Bashkuar, raporti nënvizon që tregu britanik i grupeve të studentëve ndërkombëtarë ka kaluar në stanjacion në periudhën 2008-2014. Raporti gjithashtu paralajmëron studentë ndërkombëtarë, duke krahasuar destinacionet e ndryshme kur zgjedhin për të studiuar dhe “nuk ka asnjë dyshim” që sektori po ndikohet negativisht nga politikat e vizave.

“Konkurrenca në rritje nga ‘gjigantët e fjetur’ të sektorit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara, po bëhet domethënëse, ashtu sikundër edhe nga ana e universiteteve kanadeze”, – thotë raporti. “Rënia e konsiderueshme e regjistrimeve të studentëve australianë vitet e fundit ilustron brishtësinë e këtij tregu”.

Sipas raportit, në vitet 2007-2014, për shkak të rritjes së regjistrimeve të studentëve në Amerikën e Veriut, shumë konkurrentë të tjerë përveç MB, shkuan mbrapa në terma realë. Pjesa e studentëve ndërkombëtarë të ShBA-së u rrit me 52%, e Kanadasë me 20% dhe e Mbretërisë së Bashkuar me 0,5%. Por Gjermania, Zelanda e Re dhe Austria patën rënie në numrin e studentëve ndërkombëtarë me 18-22%.

Numri i studentëve ndërkombëtarë në Mbretërinë e Bashkuar si përpjesëtim i numrit të përgjithshëm  të studentëve është më i vogël se shumica e rivalëve të vetë, thotë raporti, me 50% të studentëve në Bachelor. Vetëm Shtetet e Bashkuara janë afërsisht të ngjashme (51%).

Një nga fushat që tregon nivele më të ulëta të kënaqësisë së studimit në MB janë treguesit financiarë duke përfshirë “fitimin e parave”.

Sidoqoftë, në tre nga katër vendet e MB (duke përjashtuar Skocinë) studentët e mbarojnë një degë për tri vite dhe jo për katër vite si në ShBA, Kanada apo Australi, gjë që nënkupton tarifë studimi për më pak vite dhe mundësi për futje në tregun e punës më shpejt.

Gjetjet janë të bazuara në të dhënat e përvojës studentore ndërkombëtare të derivuara nga Barometri Studentor Ndërkombëtar, mbështetur nga statistika të rekrutimeve dhe regjistrimeve ndërkombëtare të studentëve në MB, si dhe nga analiza te hollësishme të destinacioneve të tjera, politikat qeveritare mbi rekrutimet, mbështetjen dhe punësimin pas studimeve. 

Një kuptim më i mirë i peizazhit studentor

Raporti u hartua me qëllimin e kontributit në një të kuptuar më të mirë të mjedisit studentor ndërkombëtar dhe me qëllim hartimin e rekomandimeve që do ndihmonin politikëbërësit britanikë dhe universitetet që të rrisnin rekrutimet e studentëve ndërkombëtarë.

Për këtë qëllim, raporti nënvizon se agjentët e edukimit duhet të luajnë rol parësor në vendimmarrjen e 26% të studentëve ndërkombëtarë në MB, një shifër më e ulët se mes rivalëve anglishtfolës të MB.

“Tërheqja ndaj Mbretërisë së Bashkuar si një atraksion arsimor nga ana e agjentëve arsimorë, është një trend në rënie që nga viti 2010, përkundër Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re”, thotë raporti.

Nga 130 mijë studentë ndërkombëtarë të regjistruar në MB në 2013-2014, afërsisht tre në katër janë nga Azia, 11% nga Afrika, 9% nga Lindja e Mesme, 9% nga Amerika e Veriut dhe 1% nga Amerika Latine.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button