GJUHA QË S’E JAP

Janë do situata që të lënë vragë, madje edhe të  lëndojnë, janë do raste që të shkaktojnë plagë të pashlyeshme në shpirt dhe s’të hiqen kurrë nga kujtesa. Të ndjekin ditë për dite dhe të detyrojnë t’i kujtosh. Nuk të hiqen nga kujtesa. Bëjnë roje aty dhe vazhdimisht të dalin parasysh si gisht i ngritur që të tërheqin vërejtje mos të të përsëriten përvoja të këtilla.

Ta përmend një? Ja po jua them:

Një ditë e dëgjoj një intervistë të një figure të njohur në letërsi dhe në qarqet akademike të këtij vendi të molisur nga mbrapshtitë politike. Do ta quaj personi N të intervistuarin/intervistuarën për shkak se nuk është punë imja t’i përgjigjem, sepse m’u duk sikur intervista ishte kurdisur si një dorë e zgjatur e ndonjë instance që tash vepron nga errësira. Kurse unë jam vetëm një qytetar i këtij vendi dhe nuk më takon ta ngre zërin zyrtar kundër instancave, sepse këtë zë s’e kam. E kanë ata që janë në pushtet, që kanë poste, që e kanë marrë besimin tonë, që i shfrytëzojnë të gjitha privilegjet e nuk e di sa u intereson përgjegjësia ndaj nesh. Dhe, me këtë rast nuk flas as si ndonjë punëtor institucionesh shkencore të këtij vendi e të të gjithë hapësirës etnike. I lë të qetë ata të mrizojnë. Flas vetëm si qytetar.

T’i kthehemi intervistës:

Unë qytetari i këtij vendi, me të drejta të barabarta me të gjithë të tjerët që m’i garanton kushtetuta e dëgjoj intervistën, si ju thashë, të personit N. Intervista, pa dyshim është  pa shije, pa ndjenjën e masës. Absurde.  Gazetarja dhe N fluturojnë në krahët e ekzaltimit nga ndjenjat antishqiptare. Njëra pyet, tjetri/tjetra qahet. Qahet për “zullumet” që i bëka gjuha shqipe Maqedonisë. Një përmbajtje me mijëra herë e përsëritur, një përmbajtje bajate, por kurrë pa e marrë përgjigjen e merituar e të argumentuar nga shqiptarët. Pason kërkesa e të intervistuarit/intervistuarës që instancat të ndërmarrin diçka që gjuha shqipe të zhvendoset edhe nga kjo pozitë e mjerë që ka dhe statusi i saj të bjerë edhe më poshtë. Përveç kësaj personi N bën njëfarë rangimi të statuseve të gjuhëve që fliten këtu. Në Maqedoni. Gjuha e tij/e saj na qenka superiore, e para, e vetmja që ka peshë për vendin, që iu dashka të gjithë njerëzve, kurse gjuha ime shqipe, sipas kësaj logjike johumane, është një gjuhë inferiore. Nga gjuha e saj dhe gjuha ime ka një boshllëk të madh në renditje. Gjuha e saj është njëshi, gjuha ime s’është as dyshi, as treshi as dhjetëshi as njëqindëshi me radhë. Dhe, gjuha ime shqipe na qenka për përdorim brenda mureve të shtëpisë. Këto kopalla dalin në sipërfaqe pasi të gërvishtet pak llaku i lirë, i pavlerë i kësaj interviste të gjatë. Madje edhe alfabeti cirilik na qenka superior, kurse alfabeti latin, të cilin e përdorin shumë popuj, në mesin e të cilëve edhe ne shqiptarët, na qenka i dorës së dytë.

Ka intervista, ka deklarata, komente që vijnë si sulme kundër gjuhës shqipe. Nga ana jonë heshtja e vazhdueshme institucionale. Mbeten gazetarët e pakët të flasin, si unë. Kurse unë edhe sikur ta di se fjala ime do të jetë zëri i vetëm në shkretëtirë, do të flas. Do të flas, ndonëse e di se atyre që e kanë marrë mandatin as qerpiku nuk do t’u lëvizë qerpiku, po ani. Ani. Por ja që unë s’mund të jem indiferent kur ma përbuzin gjuhën e nënës. Ata që na përfaqësojnë le të fshihen pas “punëve të mëdha”, le ta fyejnë poezinë dhe teatrin duke e marrë si krahasim pezhorativ me politikën e tyre amatore. Unë, së paku, do t’i ndaj ndjenjat e mia me lexuesit.

Nuk mund të jem indiferent për shkak se për mua gjuha shqipe është e shenjtë… Për shkak se atë e ndjej si vendlindje, si shtëpinë ku jam rritur, si atdhe… Për shkak se aty i ruaj fjalët e para të buta të nënës… ninullat… Për shkak se vetëm aty i kemi “të arkivuara” me qindra e qindra këngë që në titull fillojnë me fjalët “moj e mira”… Për shkak se në gjuhën time shqipe e kam mësuar krenarinë të gdhendur në këngët e kreshnikëve… Për shkak se në këtë gjuhë nuk ekziston fjalori i urrejtjes… Për shkak se gjuha shqipe është gjuhë e dashurisë… Dhe, jo vetëm kaq. Në këtë gjuhë ende i shoh ëndrrat, në këtë gjuhë i di emrat e luleve të vendlindjes, emrat e bimëve, emrat e zogjve dhe në këtë gjuhë e dëgjoj muzikën e tyre. Në këtë gjuhë mund t’i përshkruaj ngjyrat e visoreve, kushtrimin, majat, rrëzat e maleve ku shtrihen fshatrat tona, dritën e xixëllonjave, fluturimin e dallëndysheve, trokitjen e derës së mysafirit që vjen pasi të bjerë terri, valët e liqenit, erën e malit. Melodinë e përshëndetjeve madhështore shqipe: faleminderit, me nder qofsh, mirë se erdhët, mirë vafshi, udha e mbarë, puna e mbarë, mirëdita, mirëmbrëma etj. Vështirë është këto t’i shkruash në një gjuhë tjetër e aq më pak kur të vijnë me urdhra dhe detyrime. Prandaj nuk heq dorë kurrë nga gjuha shqipe edhe sikur të më vendosin në turrën e druve, si në Mesjetë. Kurrë! Kurrë! nuk do ta braktis gjuhën shqipe. Për asnjë minutë. Kurse ata të politikës, e dinë vetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button