ANALIZË: 2015 – për të pasurit i suksesshëm, për të varfërit i humbur

Statistikat vendore regjistruan përparim, ndërsa një pjesë e analizave të huaja edhe vitin që kaloi na futën në grupin e ekonomive “më mizore”. Të dhënat tregojnë se viti 2015 do të përfundojë me rritje prej rreth 3 për qind, mirëpo standardi i qytetarit mesatar edhe më tutje do të mbetet në fund, në krahasim me mesataren evropiane. Sipas vlerësimeve të një pjese të analistëve për analizën ekonomike javore të Portalb-it, ekonomia tregoi rezistencë ndaj krizës së thellë politike, mirëpo edhe ndaj konfliktit në Kumanovë, i cili mund ta rrezikonte stabilitetin e vendit.
Në vitin që kaloi u parashtrua edhe pyetja “A shpenzuam për çokolladë e nuk kishim para për bukë”. Si e kaluan vitin 2015 biznesi dhe qytetarët?

Për të pasurit i suksesshëm, për të varfërit i humbur…

”Gjithë kohën dëgjoj se ekonomia qenka e mirë, se ka punësime të reja, investime të huaja, mirëpo sipas meje nuk mund të them se në vitin që kaloi më është përmirësuar kualiteti i jetës. Ja, thonë se dhe çmimet nuk janë rritur, ndërsa rrogat qenkan rritur. Si atëherë gjithnjë e më vështirë e kalojmë muajin? Të gjitha paratë shkojnë për llogari dhe për ushqim”, thotë për Portalb, shkupjanja V.H., bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve.

Në familjen e saj, të ardhurat e përgjithshme janë rreth pesëqind euro, gjegjësisht jetojnë me dy rroga, të cilat janë larg mesatares republikane që e mat Enti për statistika.

Kjo familje shkupjane është një nga qindra mijëra familje të cilat mezi arrijnë ta mbijetojnë muajin. Në fakt, sipas të dhënave të fundit për varfërinë në Maqedoni, shënon në rritje numri i familjeve katëranëtarëshe që jetojnë në pragun e varfërisë dhe ky numër arrit në 151.043. Analiza e të dhënave që e bëri “Portalb”-i tregoi se vetëm për tre vite numri i amvisërive të varfëra është rritur për 10.000 familje të reja. Ja si ka lëvizur trendi i varfërimit të familjeve:

Vitit 2012       141.120 amvisëri

Viti 2013        147.578 amvisëri

Viti 2014        151.043 amvisëri

Në nivel të gjithë vendit, varfëria është zvogëluar në 22,1 për qind, mirëpo edhe më tutje në pasqyrën e madhe, çdo i katërti qytetar nuk mund t’i plotësojë nevojat themelore jetësore.

Përderisa lufta për ekzistencë do të jetë sfidë edhe në vitin 2016, nga ana tjetër, të dhënat nga statistika shtetërore paralajmërojnë optimizëm për rritjen ekonomike në vitin që kaloi. Në fakt, sipas ekonomistëve, rritja ishte 3 për qind, mirëpo mbetet dilema se a është e bazuar ajo në politika të qëndrueshme ose në zgjidhje akute që kanë çmim të lartë.

“Në qoftë se të dhënat nga Ministria për Financa janë të sakta, atëherë ekonomia e vendit është në rrugë të mirë të shënojë rritje vjetore ekonomike prej mbi 3%. E mira është se prodhimtaria industriale shënon rritje prej 8.6% në periudhën 2015/2014, mirëpo e keqja është se rritja e tillë është ciklike dhe jo e qëndrueshme (sipas muajve) dhe sipas sektorëve. Mendoj se rritja ekonomike është nxitur nga shpenzimi më i madh, veçanërisht shpenzimi publik. Duke marrë parasysh strukturën e shpenzimit publik, mendoj se efektet mbi rritjen ekonomike janë të njëhershme dhe nuk janë në funksion të sigurimit të rritjes dhe të zhvillimit të qëndrueshëm”, thotë për Portalb, profesori universitar, Sami Bislimi.

Si faktor që e nxiti shpenzimin e shtuar publik ishte edhe rritja e pensioneve, veprim ky të cilin qeveria e ndërmorri në shtator. Pensionistët e përshëndetën këtë rritje, mirëpo ekonomistët pyetën se me çfarë parash u realizua ky premtim.

“Qëndrimi im është se rritja e pretenduar e pensioneve në fakt është kthim i asaj që shkurtohet prej janarit deri tani. Mirëpo qeveria është futur në fushatë zgjedhore dhe me ndihmën e mediave (pro)qeveritare e gjithë kjo paraqitet si sukses i madh. Në këtë vend tashmë askush nga kompetentët nuk kujdeset për ardhmërinë e gjendjes financiare të e të FSPIM. Kjo shihet nga premtimet ndaj grupeve të caktuara të qytetarëve, siç janë bujqit ose atyre që u mungon stazhi, për ta blerë atë. Askush nuk ka kundër që qytetarëve t’u mundësohet ndonjë e drejtë, mirëpo duhet të tregohet se prej ku do të sigurohen mjete financiare. Këto janë vetëm premtime politike dhe vendime për të cilat nuk është bërë analizë adekuate për implikacionet financiare. E gjithë kjo do të kontribuojë për rritjen e deficitit jo vetëm në FSPIM, por edhe në buxhetin shtetëror”, thotë analisti Sllobodan Najdovski, i cili thotë se të dhënat tregojnë se varshmëria e fondit pensional nga buxheti qendror prej viti në vit rritet. Kështu, për dhjetë vite jo të plota, dotacionet nga buxheti në llogari të fondit janë rritur prej 20% në 41%.

Mirëpo, vitin që u karakterizua me krizën politike, qeveria nuk kursente premtime për projekte të reja. Studentët fituan transport falas, u paralajmëruan ndërtesa të reja në stilin barok, punësime në administratë, kushte më të mira për firmat. Përderisa nga njëra anë u promovuan projekte, nga ana tjetër, qeveria mori hua të re jashtë vendit në vlerë prej 270 milionë euro.

“Ekonomia e vendit do të ketë nevojë për vazhdim të trendit të marrjes së huave për disa arsye. Ekonomia me kapacitetin aktual fiskal nuk është në gjendje t’i mbulojë shpenzimet e projektuara buxhetore dhe të sigurojë kthim të rregullt të obligimeve të maturuara, ndërsa çdo zvogëlim i i shpenzimit publik do të çojë në zvogëlimin e kërkesës agregate, që do të nënkuptonte futje në zonën e recesionit. Ne nuk investojmë sa duhet në rritjen, gjegjësisht në zgjerimin e kapacitetit prodhues të ekonomisë së vendit, që të presim, efekte kthyese, që do të mjaftojnë për mbulimin e shpenzimeve plotësuese publike dhe servisimin e obligimeve të maturuara”, thotë për Portalb, profesori Bislimi.

Me këto përqindje të varfërisë nga njëra anë, dhe me trendin e rritjes së ekonomisë nga ana tjetër, Maqedonia edhe më tej mbetet në nëë grupin e ekonomive më të varfëra, qytetarët e së cilës kanë vetëm 36% të standardit evropian. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button