Fati i krijuesit në planetin e leskërkulturës

Thonë se kur Zoti i ndau fatet, krijuesit ia fali qiellin. Por, duket se nuk është pikërisht ashtu, sepse, krijuesi është njeri, si unë, si ti, si ne… Diferencën e bën koha sa zgjat  inspirimi, akti krijues, vrushkujt e etheve që përshkojnë palcën kurrizore, ikjet virtuale në planete të tjera. Me një fjalë, jeta e krijuesit i shembëllen asaj të albatrosit të Bodlerit, i cili është mbret i qiellit vetëm kur shpalon krahët. Poshtë në tokë, ndërkaq, ai shndërrohet në vdektar të rëndomtë, në krijesë të pafuqishme mbi të cilën ndërsehen këlbazat e hallkëqinjëve, në sizif që njeh gërditë e përditshmërisë uniforme dhe mjerimin e racës së vet.

Në këtë komedi të pambarimtë hyjnore krijuesi lufton me demonët e gjithllojshëm dhe, sa më lart ngjitet, aq më i madh bëhet tagri që duhet t’i paguajë pasionit. Imazhet nga dritaret e panumërta që i hapen para syshë, më së shpeshti ia bëjnë jetën gazep, ndaj mund të thuhet se lumturia njerëzore dhe mrekullitë e jetës u takojnë të tjerëve, njerëzve të rëndomtë, atyre që nuk janë prekur prej dhuntisë a mallkimit hyjnor. Ku ta dijë njeriu?

Statusi në fjalë vlen në veçanti për krijuesin shqiptar, mallkimi i të cilit është në proporcione të pajtueshme me shkallën e popullaritetit dhe famës që gëzon. Shikoni si sillemi me Kadarenë, me më të madhin artist tonin, me kolosin e prozës narrative botërore. E minimizojmë, e tallim, e fyejmë, e përgojojmë, ia përbuzim veprën duke e lidhur vlerën e saj me qëndrimet e tij për ndonjë fenomen, ngjarje a vaki unikate shqiptare. Duam ta zhbëjmë nga faqja e dheut, në emër të mendimit të lirë dhe kosmopolitizmit të shpifur, të cilit i zënë besë skrrajat e shiut dhe çafkat pa tru, sepse propagohet nga qyravecët dhe iftiaçlinjtë e honorareve fijengatërruara si lesh arapi. Për hulubakët Ai është plesht prej artisti. Çka se bota përkulet para artit kadarean? Zullutë nuk njohin autoritete. Ata vetëm kur pështyjnë prometejtë pështyjnë me tamam.

Në fakt, këlbazat që diabolizojnë kuotat shqiptare synojnë përmirësimin e gabimit të diktaturës komuniste që la gjallë e për “bela” artistët që prishin përjetësisht notën mesatare të pleshtave kulturorë – atyre që mund ta shesin gjoksin n’allaje liliputësh dhe mese të diskriminuara ku shpirti shqiptar sot e gjithë ditën vazhdon të rritet me dozat që ia caktojnë të tjerët. Por, s’kemi ç’bëjmë për aq kohë sa jemi në planetin e leskërkulturës së Anton Harapit, ku i këtillë qe fati i krijuesit edhe në të shkuarën. Merrni dhe analizoni, qoftë edhe përciptazi, historinë e letërsisë sonë, për t’u vërtetuar se gati të gjithë emrat e shquar të saj, vdiqën të dëshpëruar dhe syhapur me djegën e kombit që s’bëhet kollaj. Më fatlumëve prej tyre nuk u dihen varret. Të tjerëve, ose nuk u dhamë “as varr për hor”, ose kur ua dhamë atë, si në rastin e Konicës, bëmë yrish t’i zhvarrosim, sipas yrnekut të atyre që ua shtrojnë qenve kufomat njerëzore…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Urime i nderuar.Gjithcka qe shkruan dhe thua jane te verteta.Je profesor i mrekullueshem dhe nje letrar erudit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button