Orhan Ibrahimi: “Hapja e Universitetit “Nënë Tereza” me prapavija”

Deputeti i PDSH në emisionin “10 minuta” në TV 21, Orhan Ibrahimi, duke u përgjigjur mbi ndarjet e thella politike ndaj një çështjeje mjaft delikate siç është universiteti për shqiptarët, thotë se  janë hedhur poshtë fjalët e para që janë thënë lidhur me hapjen e këtij universiteti:

“E shikuam defilimin e ministrit, i cili  tentoi të shtrembërojë faktet kur proklamuan se do të hapet një universitet. Tha se do të themelohet universiteti “Nënë Tereza” në Shkup  në gjuhën shqipe. Pas tre orëve doli kryeministri i cili tha se  nuk do të jetë në gjuhën shqipe, por do të jetë  në gjuhën maqedone, angleze edhe shqipe”, tha Orhan Ibrahimi, PDSH.

Ibrahimi vë në dukje propozimet e grupit parlamentar të PDSH-së sot në kuvend, ku me anë të amendamentit të parë kërkohej saktësimi se gjuhë pune do të jetë gjuha shqipe, por deputetët e BDI-isë, sipas tij, nuk e dhanë votën e tyre. Ndërsa amendamenti i dytë lidhej me propozim-plotësimin e ligjit për Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë Ibrahimi.

“Kjo punë e themelimit të universitetit ka prapavijë të zymtë në atë se çka pretendohet të bëhet. Ne me amendament kemi kërkuar që të fshihet neni 5 i propozim ligjit për Universitetin e Tetovës. Në nenin 5 thuhet në mënyrë të saktë se fakulteti i shkencave aplikative me 7 programe mësimore do të mbyllet deri ne vitin 2009-2010 dhe do të barten në universitetin e ri, që nuk e dimë se si do të funksionojë“, shtoi Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, askush nuk është kundër hapjes së një universiteti të ri ,në çfarëdo gjuhë qoftë, por se janë kundër  prapavijave të cilat qëndrojnë pas kësaj teme delikatë.

“Asnjë prej zyrtarëve deputetëve  dhe ministrit  gjatë tërë diskutimit të tyre nuk tha Universiteti “Nënë Tereza” në gjuhën shqipe në Shkup”, thotë ai.

Ligjvënësi opozitar Orhan Ibrahimi thekson se qytetarët kanë qasje në informacione dhe mund të dallojnë se cilat janë alternativat dhe politikat  e duhura dhe ato të gabuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button