PDSH kërkon ligj për dekriminalizimin e politikës

Deputeti i PDSH-së opozitare, Orhan Ibrahimi, kërkon që urgjentisht të miratohet ligji për dekriminalizimin e politikës në Maqedoni. Ai tha se partia shqiptare në pushtet BDI, drejtohet nga njerëz që dyshohen për skandale të ndryshme, por sipas tij këto raste nuk zbardhen për shkak se edhe pushteti gjyqësor është i mbushur me gjykatës dhe prokurorë të përfshirë në krim, raporton top-channel.

“Sot ne kemi këtu deputet që kanë thyer procesin zgjedhor, kanë hyrë me revole në vendvotime, ka qenë i ndaluar nga policia dhe pushteti e ka liruar brenda një muaji, ndërsa sot është shef i grupit parlamentar të BDI-së. Kemi ministër që hetohet prej institucioneve amerikane për korrupsion të aferës ‘Magjar Telekom’, për të njëjtën aferë dyshohet edhe deputeti dhe lideri i BDI-së. Por, nuk shohim që procedohen këto lëndë prej pushtetit gjyqësor këtu”, u shpreh Ibrahimi.

Gjatë debatit publik për pavarësinë e sistemit gjyqësor, deputeti Orhan Ibrahimi tha se reformimi i pushtetit gjyqësor nuk mund të ndodh pa dekriminalizimin e politikës.

Ndaj këtyre akuzave nuk reagoi asnjë deputet i maxhorancës apo zyrtar i qeverisë i pranishëm në sallë. Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, u përqendrua tek reformat që po ndërmerr institucioni që drejton ai dhe efektet që pritet të sjellin ato në sistemin gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button