Shkup, me nacionalizëm fitojnë “zemrat” e votuesve

Si zakonisht, përpara zgjedhjeve rriten tensionet ndëretnike, ndaj disa nisin ta mbrojnë maqedonizmin, të tjerët shqiptarizmin, me qëllim të fitimit të përkrahjes së publikut, kurse pastaj të angazhohen për tejkalimin e tensioneve, shkruan REL.

Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit deklaroi qysh në korrik se prej Institutit Evropian për paqe, të drejtuar nga mediatori i konfliktit të vitit 2001 Piter Fejti, ka porositur analizën e Marrëveshjes së Ohrit me vlerë prej 200 mijë eurosh. Tema kryesore e kësaj analize ishte ligji për gjuhën. Por, kjo u bë temë e zënkave ndërpartiake vetëm gjatë muajit të kaluar, kur nisën akuzat për atë se kush “i shet interesat nacionale” dhe u bën “lëshime” shqiptarëve.
LEXO: Ku mbeti Konferenca Ndërkombëtare për MO-në?

LSDM-ja opozitare hodhi akuzën se prapa marrëveshjes për organizimin e konferencës për analizën e Marrëveshjes së Ohrit qëndron personalisht kryeministri Nikolla Gruevski, sepse është nënshkruar në emër të qeverisë. VMRO-DPNE-ja, në anën tjetër, e mohon se bëhet fjalë për projekt qeveritar, por për Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Njëkohësisht, mediumet pro-qeveritare nisën fushatën kundër liderit të opozitës dhe gazetarëve e analistëve me qëndrime kritike duke i quajtur ata propagandues të federalizimit të Maqedonisë.
Një pjesë e analistëve komentojnë se BDI-ja e hap para zgjedhjeve çështjen e Marrëveshjes, sepse premtimi i tyre kryesorë në të gjitha zgjedhjet paraprake ishin euro-integrimet të cilat kanë ngecur.

Shfrytëzimi i frikës për stabilitetin, sigurinë dhe ekzistencën është mënyra më e lehtë për fitimin e pikëve politike para zgjedhjeve.
Këtë frikë e elitat politike e kultivojnë, kurse pastaj paraqiten si shpëtimtarë të qytetarëve të frikësuar. Pikërisht kjo frikë është trualli i përshtatshëm për mbjelljen e nacionalizmit. Si zakonisht, përpara zgjedhjeve rriten tensionet ndëretnike, ndaj disa nisin ta mbrojnë maqedonizmin, të tjerët shqiptarizmin, me qëllim të fitimit të përkrahjes së publikut, kurse pastaj të angazhohen për tejkalimin e tensioneve. Pa ndonjë arsye nisnin rrahjet nëpër autobuze, në stadiume, në oborre shkollash, në vendbanime të përziera etnikisht, zgjasnin njëfarë kohe dhe pastaj përfundonin ashtu siç nisën.

Por, duket sikur temat ndëretnike tani për tani janë në plan të dytë, edhe pse zgjedhjet e caktuara për në pranverë po afrohen. Opinioni tani është fokusuar në bisedat e katër liderëve, komisionit anketues për përgjimet dhe punën e prokurores speciale. Ndërkaq, analistët nuk presin se kjo heshtje do të zgjasë.

Marko Troshanovski nga Instituti për demokraci Societas Civilis – Shkup thotë se as këto zgjedhje nuk do të kalojnë pa hapjen e temave ndëretnike.
“Pres që nacionalizmi të jetë prezent në periudhën parazgjedhore. Jo vetëm që është tokë pjellore për mobilizimin e votuesve, sepse ajo temë depërton më lehtësisht në aspektin emocional te votuesi dhe për pasojë më lehtë mund ta mobilizosh të votojë për ty, por edhe për shkak se nacionalizmi është tokë e plleshme për shpërqendrimin për shumë problemeve të punës. Gjithë problemet e nxehta të sistemit të cilat i ka shoqëria jonë prore kalojnë në plan të dytë nëse ndonjë problem ndëretnik i zë faqet e mediumeve”, thotë ai.

Xhabir Deralla nga organizata joqeveritare Civil, thotë se ngjarjet e Kumanovës të ndodhura në maj të këtij viti ishin përpjekje për ndezjen e konflikteve ndërnacionale, por për fat, të pasuksesshme. Ai pret që retorika nacionaliste në periudhën e ardhshme të rritet.

“Temat etnike janë tema dominante gjatë proceseve zgjedhore gjatë dhjetë viteve të fundit, ndoshta dhe më gjatë dhe ky është folklori i proceseve zgjedhore në Maqedoni, që, ja, nuk arritëm t’i shmangim përgjatë gjithë këtyre viteve. Supozoj se këtë e kanë të qartë të gjithë, se për shkak të mospasjes së ofertave të mirëfillta politike, struktura të caktuara politike përpiqen ta largojnë vëmendjen e opinionit prej paaftësisë dhe keqpërdorimeve të tyre, do të thoja dhe kriminalitetit, drejt temës së marrëdhënieve ndëretnike, që është vërtet teme eksplozive, si në Maqedoni, ashtu edhe gjithandej në regjion”, thekson Deralla.

Vllado Dimosvki i Qendrës për tolerancë ndëretnike thotë se në shtator, bashkë me katër organizata të tjera joqeveritare, kanë bërë një hulumtim në gjithë Maqedoninë, që tregon se qytetarët janë në pritje të përkeqësimit të raporteve ndëretnike para Vitit të ri dhe se kjo do të zgjasë gjer në kohën e zgjedhjeve.

“Sipas të dhënave të institucioneve, këtu do të përkeqësohen raportet ndëretnike, do të vijë gjer tek eskalimi i caktuar i situatës  dhe incidenteve ndëretnike, që gjithsesi do të bëhen me regjinë e partive në pushtet, siç ka ndodhur përpara zgjedhjeve të viteve të shkuara, për përfitimin e pikëve politike në zgjedhjet e prillit, thotë Dimovski.

Vitin e kaluar, me kërkesë të BDI-së, bashkë me zgjedhjet presidenciale u mbajtën edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ata i bojkotuan zgjedhjet presidenciale, duke u angazhuar për kryetar koncensual. Në zgjedhje fituan brenda bllokut politik shqiptar dhe sërish formuan qeveri bashkë me VMRO-DPMNE-në. Para zgjedhjeve lokale të vitit 2013 kishte protesta të dhunshme të maqedonasve kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit për ministër të mbrojtjes, pas çka pasoi një kundër-protestë e shqiptarëve. Në kryeqytet u shkatërruan shumë automjete dhe u dogj në tërësi një autobus. Zgjedhjeve të e vitit 2011, ndërkaq, u paraprinë rrahjet për ndërtimin e muzeut-kishë në kalanë e Shkupit. Në incident mori pjesë edhe deputeti aktual i BDI-së Artan Grubi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button