Rusia e ka rritur interesin për Maqedoninë, ja pse

Rritja e pranisë  së kapitalit rus në Maqedoni hap dilemën se a rritet edhe ndikimi rus në vend. Dyshimet për këtë lindin nga fakti se Maqedonia është jashtë BE-së për një kohë të gjatë dhe se atë hapësirë Rusia mund ta shfrytëzojë për ndikimin e saj politik. Në situatën kur rriten tensionet mes fuqive të mëdha botërore , intensifikohet “beteja” me informacione, mesazhe dhe dezinformata. Analistët thonë se një nga qëllimet kryesore të politikës ruse është ta ndalojë zgjerimin e BE-së dhe NATO-s, njofton REL.

Me zemër është në Moskë, kurse  me xhepin në perëndim

Profesori universitar Mersel Bilalli thotë që nuk ka dyshim se Rusia ka interes për vendet e Ballkanit Perendimor.

“Dështimin e intervenimit në Siri, dëshiron ta kompensojë me diçka tjetër, ajo është Evropa Juglindore ose Ballkani Perëndimor. Por këtu faktor kryesor është Serbia, këtu ajo luan lojë të dyfishtë. Me zemër është në Moskë, kurse me xhepin në Perëndim. Nëse analizoni opinionin publik një numër i madh i popullatës ka orientim pro rus, por nëse i pyesni se ku duan të jetojnë fëmijët e tyre,  75 përqind do të përgjigjeshin se duan në perëndimin” thotë Bilalli.

Rusia dëshiron të depërtojë me teknologji ushtarake nëpërmjet konventës për bashkëpunim teknik ushtarak me Serbinë, që të mund të ndikojë në regjion, por se sa ajo do të jetë e suksesshme është e dyshimtë sepse Serbia është e rrethuar nga shtete që janë në aleancën  e NATO-s, shpjegon Bilalli. Ai shtoi se në atë kontekst Maqedonia tregohet lojtar i dobët.

“Qeveria që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE-ja dhe BDI, pavarëshit nga të gjitha përcaktimet e tyre deklarative se kjo qeveri është e përcaktuar për integrimet euroatlantike, praktikisht veprimet janë në drejtim të kundërt, jo për shkak të ndonjë dashurie me to, por për arsye të qeverisjes sepse kjo strukturë dëshiron të qeverisë sa më gjatë në stilin e Putinit, kjo është logjika. Por, realisht kjo e ka dobësuar shtetin deri në fund. Maqedonia është në dizavantash dhe nuk mund ta luajë atë lojë që e luajnë shtetet më të mëdha dhe kjo po tregohet si handikap për shtetin” thotë Bilalli.

Politikologja Sonja Stojadinoviq thotë se hyrja e kapitalit rus dhe mediave ruse në Maqedoni nuk kanë ndikim të menjëhershëm negativ, sepse siç thotë , secili investim i huaj që hyn në vend është i mirëseardhur nëse është në interesat të popullatës. Prezenca e mediumeve ruse në vend mundëson qasje të publikut maqedonas në informacione të asaj ane të botës, por në aspektin e ndikimit rus, ai nuk vjen në Maqedoni përmes mediave, por nëpërmjet ndikimit të politikanëve të partisë që qeveris VMRO-DPMNE në mediat private, shpjegon Stojadinoviq.

“ VMRO-DMPNE më shumë qëndron në anën e Rusisë se sa në anën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, sepse pa marrë parasysh se sa kjo parti flet se qëllimi i tyre është integrimi i Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ato janë vetëm pohime deklarative, nuk janë deklarata reale dhe asgjë nuk është bërë në lidhje me të, thotë Stojadinoviq.

Investime të dyshimta ruse

Bilalli mendon se në vend ka edhe investime të dyshimta ruse. Përfaqësuesit e sektorit afarist thonë se pas krizës së Ukrainës, Rusia ka intensifikuar përpjekjet për të qenë prezente në pazaret në botë dhe në Ballkan.

“Qasja më agresive e kapitalit rus, kontribuon që vendet ballkanike të hyjnë në një proces të ri, sepse ajo është si alternativë e krizës që shpeshherë paraqitet në ekonomitë e vogla”, komenton biznesmeni Zore Temellkovski.

Biznesmeni rus Sergej Samsonenko viteve të fundit vazhdimisht është duke e zgjeruar biznesin e tij në Maqedoni. Pasi mori klubin e vajzave dhe djemve të hendbollit Vardar, u bë edhe pronar i më shumë akcioneve edhe në klubin e futbollit me po të njëjtin emër.

Ai menaxhon edhe me qendrën e re sportive “Jane Sandanski” në komunën e Shkupit Aerodrom, që kushtori 15 milion euro në të cilën përveç dy sallave sportive ndodhet edhe hotel “Rusia”, restorant ne katër yje me 61 apartamente dhe në ndërkohë u bë donator për ndërtimin e kishës së parë ruse “Sveti Trojca”.

“BIRN” shkruan se Semsonenko së bashku me njeriun e parë të “Orka holding” – Orce Kamçev  dhe të kombinatit bujqësor “Pelagonia” këtë vit u bënë pronarë të ri të një nga fabrikave më të mëdha të brendshme të qumështit dhe produkteve nga qumështi “Zdravje Radovo”. Në hulumtimin e tyre për Shkupi 2014, thuhet se Samsenko e ka marrë firmën “DC prajm propertis” nga biznesmeni i njohur kontravers Dimitris Kontaminas, i njohur nga afera “Maxhar Telekom”, i cili më 2011 në ankand bleu vend atraktiv, tokë shtetërorë (6.300 metër katror) dhe u zotua që atje ta rinovojë Shtëpinë e oficerëve dhe të ndërtojë hotel në stilin e projektit “Shkupi 2014”.

Hulumtimi nga “BIRN” tregon se ai dhe gruaja e tij Irina, nëpërmjet një  kompanie të përbashkët, në shkurt të këtij viti, me rreth gjysmë milioni euro blenë një parcelë atraktive në mes të “Filipit II” dhe parkut të Frankofonisë në parkun e qytetit në Shkup. Atje do të ndërtohet kompleks sportiv.

Samsoenko vjet  u paraqit edhe në dy reklama parazgjdhore të fushatës së VMRO – DPMNE- së.

Kompania e cila i vendosi tubat në gjatësi prej 60 kilometra të gazpërçuesit si pjesë e sistemit kombëtar të gazpërçuesit në rrugën nga Kleçovca në Shtip ka hyrë në listën e zezë së Ministrisë amerikane për financa. Ajo në këtë listë për sanksione financiare është vendosur në prill të vitit të kaluar.

Në vend prezentë janë edhe kompanitë “Sintez grup”, “Sollvej”, “Grishko”, ndërsa në publik spekulohet se pas “Balkan Energy Group”  qëndrojnë  para ruse me prejardhje nga ishulli Belize.

Investime ruse ne Maqedoni më shumë ka në miniera, në energjetikë,  ato janë të pranishme nëpërmjet pikave ku tregtohet nafta e Llukoillit. Kompania ruse Llukoill, pompën e parë të benzinës në mënyrë solemne e hapi në ditën e pavarësisë në 8 shator 2006 dhe deri tani është zgjeruar në 28 lokacione.

Rusia për “Lagjen e trimave

Në  mënyrë plotësuese e befasoi opinionin dhe reagimi i Ministrisë ruse për punë të jashtme më 9 maj kur ndodhi incidenti në lagjen kumanovare “Lagja e trimave”, ku me deklaratë shprehi keqardhje për ndodhitë në Kumanovë dhe theksoi se “situata shpejtë do të normalizohet dhe të gjithë rrethanat e incidentit do të hetohen plotësisht”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button