I DASHURI TRADHTAR!

Mos u merakosni për çfarë u akuzojnë o mjeshtër të punës suaj: Xhaka, Shaqiri,  Behrami, Mustafi, Kasami, Bexheti, Durmishi, Januzaj! Ata që u akuzojnë për tradhti duan që të jeni mosmirënjohës. Bijtë më të mirë të kombit përherë i kanë etiketuar si tradhtarë. Gjërat më të mira i kanë bërë “tradhtarët” si puna Juaj. Shqiptarët kanë vuajtur prej “patriotëve” që kanë folur për liri, por i kanë robëruar. Kanë folur për drejtësi, por kanë bërë padrejtësitë më të mëdha. Kanë folur për mirëqenie, por kanë rrjepur. Kanë folur për dije, por nuk i kanë duruar të diturit pranë vetes, sepse u duhen lolot dhe makutët.

“Tradhtarë” si ju do të doja të kishim sa më shumë. “Tradhtarë” si ju kanë krijuar imazhin më të mirë në vendet që i përfaqësoni.

Ju u ngritët në majat e suksesit me investimin tuaj dhe të shteteve që tani u jeni mirënjohës. Atdheu ju do vetëm kur arrini kulmin e suksesit, por me investime të huaja. Ju do të gatshëm. Nuk do që të investojë te talentet që i ka në mesin e tij. Investohet vetëm te bijtë e bijat e atyre që i shuajnë talentet që në zanafillë.

Kë tradhtuat Ju që jeni vetëm futbollistë? Edhe po të donit nuk mund të bënit tradhti. Ju nuk e keni këtë mundësi. Nuk ua kemi dhënë besimin tonë që të na tradhtoni.

Kur e akuzuan një gazetar, kundërshtar të një diktature, se kishte bërë tradhti kombëtare, ua ktheu shkurt: “Dua të bëhem tradhtar, por nuk e kam shumicën parlamentare”.

Nuk u kemi dhënë mandat që të na përfaqësoni. Nuk arritët te majat e suksesit me votën tonë, prandaj mund ta përfaqësoni vetëm vetveten. Nuk keni pse i jepni dikujt llogari.

Ju nuk miratoni ligje sipas terkut të atyre që duan të na bëjnë të keqen. Ju i respektoni ligjet e vendeve ku jetoni, të vendeve ku të gjithë janë njësoj para ligjeve. Ju nuk mund të shkatërroni asnjë institucion dhe asnjë sistem vlere. Ju nuk bëni gjëra amatore. Jeni profesionistë të punës tuaj.  Loja e futbollit nuk luhet me ndjenja atdhetare. Duhet investim, metodë në punë dhe disiplinë. Duhet mund e djersë. Vetëm kështu arrihet te suksesi, të cilin këtu nuk ta falin. Këtu të çmojnë vetëm si dështak.

Shumë “patriotë” që u akuzojnë për tradhti, i kanë bërë gjitha të zezat. Ja pse kanë nevojë të thirren në atdhetari dhe të flasin vetëm për heronj kombëtar. Në çdo mur të dhomës e kanë nga një flamur.  Lexojnë vetëm libra “patriotik”. Bëjnë lista tradhtarësh të kombit. Nuk është çudi që nesër t’u ngrenë përmendore për merita atdhetare. Kemi plot heronj e patriotë sezonal, që nuk kanë bërë punë tjetër veçse kanë dëshmuar “patriotizmin” e tyre. Për ata nuk ka as letërsi pa atdhetari. Kanë aktruar të qajnë nëpër tubime ku lexohen vjersha patetike, me parulla që nuk thonë gjë, me rima foljore, të krijuara pa pikë frymëzimi, që i duartrokit masa, e cila nuk e di çfarë është poezia.

Shumë prej atyre që ju quajnë tradhtarë na kanë krijuar imazhin më të keq si komb. Nëse dikush i quan të ligë thirren edhe në emrin tuaj. Bëjnë kinse u “çmojnë” në të tilla raste, që të vetëmbrohen prej ligësive që kanë bërë. Duan të fotografohen me ju, por jo se u duan. E bëjnë për vete.

Luani futboll ashtu sikurse dini! Bëjeni punën tuaj, siç nuk mund ta bëjmë ne të tjerët që kënaqemi duke u shikuar! Patriotë më të mëdhenj janë ata që e bëjnë punën me përkushtim dhe nuk i fusin hundët në punët që nuk dinë t’i bëjnë.

Aty ku flitet shumë për merita atdhetare duhet mbyllur veshët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button