Rama: 300 milionë euro në tre vjet, kreditim për bujqësinë

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një takim me investitorë në fushën e bujqësisë që u zhvillua sot në ambientet e fermës “UKA” në Laknas, Tiranë, njoftoi krijimin e fondit kombëtar të garancisë, me një vlerë prej 300 milionë euro në tre vjet, për kreditimin e bujqësisë.

“Në bashkëpunim me BERZH-in, e cila na ka asistuar për të krijuar këtë instrument, si dhe me bankat e nivelit të dytë në vend, nëpërmjet koordinimit të AZHBR-së, qeveria do të kreditojë sipërmarrjen bujqësore me një fond të posaçëm, prej 300 milionë euro në tre vjet, shifër kjo e parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2016”, deklaroi Rama.

Ai shprehu vendosmërinë e qeverisë së tij për ta parë bujqësinë si një ndër korsitë më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e social.

Ndërsa deklaroi se kërkesa për financim është shumë më e madhe se mundësia e buxhetit të shtetit për ta financuar këtë sektor, Rama tha se gradualisht po krijohen kushtet për të financuar pa limit sipërmarrjet bujqësore.

Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sa i përket nivelit të kredive të këqija, kreu i qeverisë bëri të ditur se fshati dhe bujqësia janë më pak problematikët, çka sipas tij, flet për një prespektivë të mirë zhvillimi dhe konsolidimi të sipërmarrjes bujqësore.

“Ka një impakt shumë domethënës, që në kushtet e sotme, një nga problemet që ne kemi sa u përket financave, janë kreditë e këqija, të cilat falë një përpjekjeje serioze me BSH-në, nga një nivel kërcënues në 25% i ulëm arsyeshëm në rreth 20%. Por fakt interesant është se, pavarësisht se fshati dhe bujqësia duken pjesa më gri, edhe për shkak të informalitetit të madh, bankat asnjëherë nuk kanë patur probleme me kreditë e tyre. Këtë e vërtetojnë edhe agjencitë e krediteve që nuk kanë probleme të kësaj natyre me kreditë apo mikrokreditë e dhëna në fshat”, theksoi kryeministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button