Koncepti i ri i politikës kosovare – gazi lotsjellës dhe UNESCO-s

Në dhjetor të 2009 për të përditshmen “Lajm” shkruajta një shkrim me titullin: Populli i Kosovës dëshmoi. Shkrimi bënte fjalë për zgjedhjet lokale në Kosovë, për ecurinë dhe zhvillimin e zgjedhjeve atje. Isha i gëzuar që kishim frymë demokratike në atë proces përkundër deklaratave të shumta të politikanëve ballkanik se Kosova ende nuk është e aftë të organizoj zgjedhje të lira dhe demokratike. Ndoshta këta mendime vinin si pasoj e zgjedhjeve që u zhvillonin në Maqedoni, ku kishim shumë parregullsi, mbushje kutish, kërcënime, krisma me kallashnikov e mënyra tjera trishtuese. Në atë kohë pata shkruar:

“Si çdo pranverë që vjen e simbolizon një fillim dhe shpresë të re, edhe zgjedhjet shprehin të njëjtën gjë. Në këtë kontekst, populli është ai që gjithmonë kërkon një shkëndijë të re të jetës, do freskim dhe dëshiron të hedhë hap drejt zhvillimit. Posedimi i shpresës është në proporcion të drejtë me besueshmërinë te partitë politike. Shqiptarët e Kosovës e kishin mundësinë për të hedhë hapin drejtë së ardhmes. Zgjedhjet demokratike në Kosove, në të cilat u votua për strukturat e reja udhëheqëse për pushtetin lokal, dëshmuan pjekurin politike dhe vetëdijen demokratike të popullit shqiptar në rrugën drejt zhvillimit të shtetit të pavarur të Kosovës”.  Për të përfunduar me këtë fjali: “Edhe përkundër vlerësimeve pozitive që jepen për zgjedhjet, vlerësimi më objektiv, që është në harmoni me realitetin politik, është se në këto zgjedhje fitoi populli i Kosovës. Forca që mund çdo dhunë, është forca e lirisë”.

Sot, pas gjashtë viteve në Kosovë është krijuar një realitet tjetër politik. Zhvillimet atje janë krejtësisht larg çdo pikëpamjeje demokratike. Politika bëhet ndryshe dhe me metoda ku prioritet i jepet dhunës. Fjalimet e pakontrolluara, sharjet dhe ofendimet janë bë pjesë e realitetit politik të Kosovës. Personalisht kam pasur të njëjtin shqetësim me Albin Kurtin atëherë kur doli plani I Ahtisarit, si dhe gjatë zhvillimeve te mëvonshme, kam qenë dhe jam kundër garantimit të numrit të deputetëve serb në parlamentin e Kosovës, ashtu siç kemi qenë kundër rezolutës 1244, kemi qenë kundër raportit të Dik Martit dhe shumë planeve tjera. Jam edhe kundër  Bashkësisë (Zajednicës), ngase Kosova  ia ka mundësuar Serbisë të vendos sovranitet të dyfishtë. Mirëpo, në asnjë moment nuk jam me Vetëvendosjen dhe partitë tjera opozitare me dhunën e demonstruar si në parlament po edhe jashtë, rrugëve të Kosovës. Hedhja e gazit lotsjellës në parlament është një akt trishtues që dhunon jo vetëm institucionin në fjalë por edhe humbë dinjitetin e të zgjedhurve të popullit, si dhe krijon pasiguri në shtet. Blloku opozitar me Vetëvendosjen në krye si institucion e kanë marrë rrugën, kurse si rregull mjetet që i përdorin me një praktik që shkel çdo normë. Gjendja kaotike që gjendet Kosova mund të kalohet nëse veprimtaria e opozitës nuk luan me argumentet e saja “detyruese” dhe “bindëse” dhe të qartësojnë konceptin e tyre politik me strategji të mirëfilltë politike. Mendoj se gazi lotsjellës dhe alkooli i përdorur është treguesja më e madhe edhe për diçka tjetër, për krizën e bllokut opozitar, ata nuk kanë force morale për të dalë para popullit me kërkesa, si dhe nuk mund të bindin popullin se parlamenti që sot i ngjanë një kafeneje ku të dehurit demolojnë çdo gjë që kanë përreth, nesër i njëjti a mund të jetë institucion i mirëfilltë demokratik, si çdo parlament tjetër në botë? Për momentin qartësimi “bindës” i gazit lotsjellës është më bindës për deputetët serb në parlamentin e Kosovës që një ditë të vijnë në parlament dhe të hedhin ndonjë bombë dore, e kjo të bëhet në emër të proceseve politike. Edhe kjo mund të ndodhe, me sa po shihet në parlament siguria është në nivel të ulët. E vetmja rrugë për Kosovën janë zgjedhjet e parakohshme, me një fushat demokratike, pa dhunë dhe gaze lotësjellëse, pa alkool dhe nënçmime…

Kosova para faktorit ndërkombëtar shifet si një shtet me shumë probleme me politikan të papërgjegjshëm, mos të them me politikan të papjekur. Beteja e vështirë e Kosovës drejt UNESCO-s duheshte të bëhet me angazhimin e të gjithë politikanëve, pa marrë parasyshë konceptin politik dhe partisë që i takojn. Edhe njëher u dëshmua se diplomacia e Kosovës është shumë e dobët. Menjëherë pas dështimit, shumë analistë, gazetarë dhe politikan shpejtuan me deklarata dhe shkrime duke fajësuar botë Islame. Ky dështim duhet shikuar në një prizëm tjetër, ngase bota Islame në fund të fundit nuk ishte ajo që votoi kundër, ishin vetëm tre shtete. Llogari duhet kërkuar tek politikanët që duhet të trokasin në çdo derë ndërkombëtare, mirëpo kjo duhet të bëhet pas stabilizimit të brendshëm, atëherë kur parlamenti të ketë funksionin dhe të punoj ashtu siç duhet. Do të thotë, edhe pse pluhuri u ngrit kundër botës Islame, kjo erdhi nga injorantët që nuk shohin më larg hundës së tyre, faji qëndron tek faktori i brendshëm. Është çështje kohe që politikanët të vetëdijesohen, të angazhohen dhe me qetësi dhe mençuri të punojnë për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Le të largohet dhuna rrugëve të Kosovës, le të largohet alkooli dhe gazi lotësjellës nga hapësira e parlamentit, le të respektohet ligji dhe kushtetuta. Kosova ka nevojë për qasje tjetër nga ajo që shohim dhe dëgjojmë, ka nevojë për krijim të strategjisë së mirëfillt kombëtare, të punohet ditë e natë që ajo të bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button