Maqedoni, politika mban në kthetrat e saj arsimin shqip

Arsimi shqip në Maqedoni përballet me problematika të ndryshme prej të cilave më evidente është politizimi i tij – ky ishte mendimi që ndanë të ftuarit në debatin e organizuar nga Unioni Studentor Shqiptar me temë “Arsimi cilësor shqip – sfidë ose realitet”, njofton Portalb.

Të ftuar në tryezë të rrumbullakët ishin Avzi Mustafa, profesor universitar; Agim Rushiti, përgjegjës për arsim të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës; Mevludin Ibishi, prorektor në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik; Laura Papraniku, gazetare e specializuar në sferën e arsimit; Xhelal Neziri, analist dhe Gadaf Rexhepi, profesor universitar.

Të ftuarit
Të ftuarit

Arben Ajrullai, kryetar i Unionit Studentor Shqiptar në hapje të këtij debate tha: “Është përgjegjësi e jona, qoftë si shoqëri, qoftë si studentë që një arsim i mirë dhe me vlera të jetë rruga e vetme e angazhimit tonë. Derisa në botën bashkëkohore zhvillohen debate se a janë të mira “fabrikat edukative”, që të prodhojnë profesionistë dhe diskutohen temat se cila është ideologjia me të cilën mburret shoqëria; në ambientin tonë, për fat të keq, akoma diskutojmë çështje se si diskriminohet arsimi shqip, se si të financohet, se si nëpër shkollat tona mungojnë kushtet, higjiena; politizimi dhe partizimi i arsimit.”

Profesori universitar Avzi Mustafa, njëkohësisht kryetar i Unionit të Itelektualëve Shqiptar në Maqedoni, foli për anët më të errta evidente në universitetet shqiptare në vend tha mes tjerash tha: “Ne ndoshta pesëdhjetë herë deri tani kemi ndryshuar ligjet e arsimit në Maqedoni, 24 vjet transformim dhe ende nuk mund të gjejmë se nga të shkojmë. Unë sot, kur ju shoh juve këtu shoh një dritë në fund të tunelit se diçka ka filluar. Arsimi jonë ka ardhur deri në një pikë që nuk mund të durojë më. Ndër problemet e para është centralizimi i vendimmarrjes nga ana e ministrit. Nuk është në gjendje një shkollë të pranojë as një pastruese sepse ministri i arsimit ka çdo gjë në dorë. Si mund të më vlerësojë mua dikush që ku ta di a ka shkollë, por është vetëm një njeri që rri dyerve të partisë, të selive partiake, dhe ai tani duhet të vendosë për mua. Unë nuk jam kundër se dikush më vlerëson, përveç studentëve që duhet të më vlerësojnë, le të më vlerësoj Akademia e Shkencave por jo një njeri partiak që s’ka lidhje se ç’po ndodh.” – tha mes tjerash, Mustafa. Ai gjithashtu u shpreh kundër sistemit të Bolonjës në universitete sepse tha që nuk është forma më e mirë për studimet shkencore.

Pamje nga ngjarja
Pamje nga ngjarja

Agim Rushiti, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave foli për rregullohet universitare dhe reformat që janë bërë në arsim gjatë viteve të fundit të cilat i shihte si të mira dhe progresive.

Prorektori nga Universiteti Ndërkombëtar i Ballkanit, Mevludin Ibishi, tha se problematika e arsimit progresiv dhe cilësor është temë universale dhe nuk duhet ta lokalizojmë sikur vetëm ne jemi më të këqij sepse më këto sfida përballen të gjithë vendet. Ai gjithashtu këshilloi studentët që mos harrojnë se “Diploma nuk është e barabartë me dijen dhe dija nuk është e barabartë me suksesin.”

Gazetarja Laura Papraniku, u shpreh se “Arsimi shqip në Maqedoni është sfidë dhe nevojë po madje edhe urgjente do të kisha thënë unë, kurse realitet, në asnjë rast, për fat të keq. Besoj se të gjithë do të ndajnë mendimin e njëjtë se shkallën e demokratizimit në vend si dhe nivelin e arsimit i kemi në gjendje alarmante. Mjafton vetëm të hedhim vështrimin dhe të shikojmë se në çfarë niveli të ulët ka degraduar përfaqësimi jonë shqiptar në të gjitha nivelet. Kjo mund të ndryshojë duke qenë ju studentët më shumë kërkues ndaj nivelit dhe performancës së nivelit akademik ndaj profesorëve tuaj, duke insistuar që të përfaqësoheni denjësisht në organet drejtuese të fakulteteve dhe universiteteve, pra duke mos lejuar që liderët tuaj të jua zgjedhë politika dhe kuptohet duke kundërshtuar dhe reaguar ndaj çdo ligji ose veprimi që cënon integritetin tuaj si studentë.” – tha Papraniku.

Opinionisti, Xhelal Neziri, tha se “Ajo që të gjithë vërejmë është heshtja e pjesës më të madhe të studentëve kundrejt padrejtësive, kundrejt proceseve negative, degradimit dhe boshatisjes së vendbanimeve tona. Kjo heshtje është e imponuar dhe e shantazhuar, sipas meje. Nëse vlen ajo që studentët janë forca e një populli, për politikat vlen shprehja, nëse kemi studentë të dëgjueshëm do t’i fitojmë zgjedhjet. Tentimi për të kontrolluar arsimin në fakt është tentim për të fituar zgjedhjet. Gjithçka që unë vërej në arsimin shqip në Maqedoni dhe që njëkohësisht është pengesë e madhe, është partizimi I arsimit, partizimi jo vetëm në punësimin e arsimtarëve ose zgjedhjen e drejtorëve dhe rektorëve, por edhe në punësimin e rojeve të universiteteve, etj.” – shtoi Neziri.

Gjithashtu prezentë ishin edhe një numër i madh i studentëve nga universitetet shqiptare të Maqedonisë, me përjashtim të studentëve të USHT-së. Në këtë takim mungoj e ftuara Ermira Mehmeti, deputete në parlamentin e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button