Raporti i KH-së: Policët e Maqedonisë përdorin dhunë ndaj refugjatëve

Raporti i fundit i Komitetit të Helsinkit tregon për vështirësitë e refugjatëve gjatë kalimit transit nëpër Maqedoni. Policët dhe të punësuarit në ndërmarrjen Hekurudhat e Maqedonisë ndikojnë në vështirësinë e rrugëtimit të refugjatëve.

“Është brengosëse që në teren gjendet vetëm një veturë e ambulancës me dy zyrtarë mjekësorë dhe një shofer të veturës. Parregullsi vërehen në sjelljen e të punësuarve në “Hekurudhat e Maqedonisë” dhe sjelljes së zyrtarëve të policisë që janë në vendkalimin kufitar. Kur ka fluks më të madh të refugjatëve dhe kur krijohen kolona, policia mundohet t’i kontrollojë përmes përdorimit të dhunës dhe kërcënimeve. Në një rast konkret, policia i ka ngritur shkopinjtë e gomës si shenjë për frikësim dhe ka goditur çantat e refugjatëve me qëllim që t’i detyrojë t’i dëgjojnë urdhrat”, thuhet në Raport. Aty sqarohet se sjellja e keqe e policëve ka kontribuuar që refugjatët të jenë të frikësuar dhe të shqetësuar dhe krijon panik tek ata.

“Gjatë përballjes me refugjatët, policët shpeshherë reagojnë me agresivitet, shuplaka dhe sharje. Edhe pse bëhen tentime, procesi i identifikimit të policive që pa arsye përdorin dhunë ndaj refugjatëve është i rëndë, sepse refugjatët shpejtojnë të largohen nga vendi i ngjarjes, duke mos dashur të ndalen dhe të dëshmojnë për rastet e tilla”, thuhet më tej në raportin e Komitetit të Helsinkit.

Në raport po ashtu theksohet se më së tepërmi probleme shënohen në sjelljen e konduktorëve të “Hekurudhave të Maqedonisë” gjatë shitjes së biletave. Biletat shiten nga 25 euro, me ç’rast shpeshherë konduktorët tentojnë t’i mashtrojnë gjatë kthimit të kusurit. Kampi në Gjevgjeli ka dy hyrje, një zyrtare përmes së cilës futen veturat zyrtare dhe një përmes së cilës futen refugjatët. Ekzistojnë tri pika të Kryqit të kuq, një pikë e organizatës joqeveritare NUN që u ndanë refugjatëve racione buke, një pikë e organizatës Legis dhe pesë objekte të UNHCR-së, prej të cilëve i pari shfrytëzohet për deponim të mjeteve higjienike, dy për rezerva ushqimi dhe nga një për ujë dhe mbulesa.

Po ashtu në terren ka edhe kontejnerë që u dedikohen zyrtarëve të policisë dhe pjesëtarëve të Njësitit për veprim të shpejtë, si dhe tualete. Udhëheqës i kampit është Zoran Llazarevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button