Bie zilja për zgjim

Bie zilja, na paralajmëron rrëmujën zgjedhore të pranverës në Maqedoni. Rrëmujë? Po rrëmujë, sepse pa tollovi, pa kombinime të pandershme, pa shqetësime dhe pa intriga thuajse nuk ka pasur zgjedhje në Maqedoni. Madje sikur nuk shkon pa to.

Megjithatë, me vite, ku ta di se sa, zgjedhjet i kemi marrë dhe i kemi përjetuar si ngjarjet më të mëdha. Njerëzit e rëndomtë para zgjedhjeve  ngarkoheshin shpirtërisht më shumë se në ndeshjet e futbollit. Në të vërtetë këtu zgjedhjet edhe janë një garë. Për dallim nga ndeshjet e futbollit kjo e zgjedhjeve është më e egër sepse lufta bëhet për pushtet, jo për pikë.

Kur mbarojnë zgjedhjet vijnë në pushtet figurat e njëjta. Rehatohen dhe më s’e sheh buzëqeshjen te ata. Bëhen si figura dylli. Ne që jetojmë me frymën tifozerisë para zgjedhjeve shpejt ballafaqohemi me zhgënjimin, shqetësimin, pakënaqësinë, me përsëritjen e padurueshme. Atëherë themi se çfarë na u desh të shpenzojmë gjithë atë energji për fushatën parazgjedhore? Por tashmë treni me nishanet që i njohim ka marrë udhën e vet. Ai si stacion të fundit e ka paraparë fitoren e përsëritur, kurse për ne do të mbeten hedhurinat. Dhe, mediat e kontrolluara që do të bëhen edhe më të kontrolluara nga fytyrat që do t’i pushtojnë të gjitha ekranet televizive dhe të gjitha faqet e gazetave. Do të detyrohemi t’i shikojmë fytyrat e njëjta, praninë e tyre, buzëqeshjet e tyre të ngarkuara me cinizëm, pozat që synojnë të na e bëjnë me dije kapacitetet e ushtrimit të pushtetit mbi ne. Shumëkush do të mendojë se ashtu ka qenë e shkruar dhe do t’i dorëzohen reprizës së kërcënimeve, të ligjëratave për madhështinë e integrimeve euroatlantike ose të integrimeve me sojuzin e madh të federatës ruse, të gjitha këto të kripura me investime e çinvestime, me punësime dhe shpunësime. Përfundimisht do të ballafaqohemi me një burim të ri të frikës në rrënjët e shtogut të njëjtë.

Zilja tashmë i ka vënë në lëvizje partizanët e partive të botës së përsëritjeve. Ata nguten t’i mbushin bilbordat, muret dhe hapësirat tjera të reklamave. Dhe i fërkojnë duart. Sepse e dinë se demosi ditën e zgjedhjeve do të jetë në gjumë të thellë e nuk do të dalë në zgjedhje. E dinë se do të fitojnë me votat e aktivistëve që çdo reprizë e aktrojnë më mirë se premierën e tyre të para shumë vjetëve. Ndërkaq zilen nuk e kanë dëgjuar njerëzit, populli, demosi dhe këta i grahin anijes si detarët e Odiseut me veshët e zënë me dyllë…

Megjithatë jeta nuk kalohet pa shpresa. E shpresa është: faktori i ri që po del në skenën politike duket se do t’i bashkojë forcat. Ndoshta pastaj do ta përjetojmë guximin qytetar, ndoshta do të ngrihet zëri për mbrojtjen e fjalës së lirë, kundër mbylljes së hapësirës mediatike dhe kundër dallavereve.

Ne, kësaj radhe duhet të dalim të gjithë në zgjedhje pa droje, pa shqetësime dhe të vendosur sepse pa dalë të vendosur në këto zgjedhje do të vazhdojë agonia jonë, do të mbetemi një pjesë e parëndësishme e kësaj shoqërie dhe do të vonohemi ende në çdo aspekt, gjë që do të ndikojë që fshatrat tona të shndërrohen në grumbuj shtëpish ku bredhin fantazmat: pa fëmijë, pa rini dhe pa banorë fare.

Zilja bie për zgjim. Ajo jep shenjë se këto zgjedhje që po vijnë do të jenë përcaktues të fatit të fëmijëve tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button