Trashëgimia e margjinalizuar kulturore

Është obligim i çdo brezi që t’ua lë trashëgim pasardhësve vlerat shpirtërore e materiale të krijuara prej stërgjyshërve të tyre. Mjerisht, edhe përkundër të dhënës se kemi trashëguar thesare të paçmuara, ne s’po ia dalim të bartim as minimumin e tyre tek fëmijët dhe nipërit tanë, sepse, për ironi të fatit, ato u faturohen gati me ekskluzivitet të plotë të tjerëve, si të ishin të mirat e një sinori të mbetur mera. Në dallim nga e shkuara, aktualisht kjo ndodh për shkak të paaftësisë dhe mokokëçarjes sonë të qëllimshme për të bërë më shumë në planin e daljes zot të vlerave kulturore.

Atë pak punë që është bërë ua kemi borxh entuziastëve, të cilët në mënyrë joinstitucionale dhe pa asnjë ndihmë materiale, të domosdoshme për gjurmimin, evidentimin dhe katalogjizimin e vlerave trashëgimore, kanë ngritur muze privatë në pronat dhe me paratë e tyre, duke u përpjekur që kësisoj të kompensojnë atë që realisht nuk mund të kompensohet, sepse nuk ka trashëgimi të mirëfilltë kulturore pa gërmime arkeologjike, pa “zhvarrosjen” e vendbanimeve antike, pa arkitekturën e kohërave që s’janë më, që si veprimtari kapërcejnë shumëfish kapacitetet profesionale, mundësitë dhe entuziazmin e individëve, sado të përkushtuar qofshin ata.

Nëse deri dje kemi mundur të arsyetojmë mungesën e veprimit/ angazhimit në këtë plan, nëse kemi mundur të bëjmë sehir vjedhjen e copërave të kushtueshme të shpirtit, sot nuk mund ta bëjmë këtë, sepse i kemi dy universitete, kemi Institutin që ka nisur të kujdeset për trashëgiminë tonë kulturore dhe që duhet të ndalë avazin e gjertanishëm që na ka varfëruar ndoshta pariparueshëm nga vlerat që na takojnë, duke na e pamundësuar imazhin e qartë rreth disa periudhave të rëndësishme të së shkuarës.

Kjo është derexheja të cilën duhet pranuar pa justifikime shtërzuese, me gatishmërinë që gabimet e djeshme t’i shndërrojmë në pikën ku do të zë fill kuptimi për vlerat kapitale të etnisë dhe veprimi ynë ndryshe ndaj tyre.

Është e njohur se shqiptarët kanë tarshëguar ndër shekuj shumë vlera, që sot janë pjesë e kulturës botërore. Trojet tona janë përplot rrënoja qytetesh antike; kala të banueshme mesjetare; tempuj paganë, kisha e manastire, xhami, teqe dhe objekte të tjera sakrale me vlera të pallogaritshme; qytete me moshë mijëravjeçare… Shqiptarët kanë një Kanun – një kushtetutë të lashtë me të cilën e rregullonin jetën e tyre, në një kohë kur të tjerët hanin sallamadishëm kokat e njëri-tjetrit; të shqiptarëve janë, të paktën 2 prej shtatë kodikëve të purport të kohës së Krishtit; në trojet tona janë ndoshta sixhilatet më të pasura të kohës osmane në Ballkan; e jona është muzika e papërsëritshme polifonike, bashkë me eposin e lashtë të kreshnikëve; i yni është institucioni i besës, nëpërmjet së cilës na ka njohur bota; e jona është Gjuha e lashtë dhe e veçantë shqipe; veshjet kombëtare të një bukurie të rrallë, për të cilat kanë shkruar personalitete të shquara të jetës kulturore evropiane; e jona është dhe letërsia unikate të cilës nuk i mungon pothuajse asnjë hallkë e rëndësishme, që nga koha kur ajo ishte e helenizuar dhe e latinizuar…

Natyrisht, pjesë të kësaj prone gjenden edhe në viset shqiptare të Maqedonisë, po, siç thamë më lart, ne nuk arritëm t’u dalim zot për shkak të thundrës së tjetrit, po dhe mungesës së guximit qytetar dhe intelektual. Për pasojë, gjithë artefaktet tona u faturohen sot të tjerëve: tempuj fetarë të të parëve tanë – kishat katolike dhe ortodokse ua kemi falur pabëzajtur sllavëve; shumë xhami të vjetra, teqe, ura, hamame, sahatkulla, kala dhe shtëpi monumentale të kohës së sundimit osman…, ua faturojmë turqëve, pa çarë kokën se ato janë ndërtuar nga duart e shkathta të mjeshtërve shqiptarë dhe u kanë takuar po shqiptarëve të atyre kohërave; ua kemi falur fqinjëve traditat, zakonet, adetet tona të bukura e të rralla, si puna e dasmës së Galishnikut, të shndërruar sot në brend maqedonas; me heshtjen tonë kronike ua falim të tjerëve edhe kuotat më të larta të etnisë…, duke harruar se një etni vlen aq sa i ka dhënë botës personalitete të jetës shoqërore e kulturore që me famën e tyre e kanë kaluar kufirin e vorbës së tij.

Në kësi rrethanash, në vend të vajit, duhet të sfidojmë mendësinë vetëshkatërruese, të imponuar prej tjetrit dhe prej lukunisë së mercenarëve kulturorë, misioni i të cilëve është zhveshja jonë në këste të padiktueshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button