Aktivizohet kuvendi i “betejave”

Kuvendi i Kosovës pritet që në orët e pasdites të vazhdojë seancën e ndërprerë tashmë disa herë nga forcat politike në opozitë, shkruan REL. Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që të trija në opozitë, kanë kërkuar që Kuvendi të mos mbajë më seanca, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Opozita është zotuar se do të vazhdojë të bllokojë punimet në Kuvendin e Kosovës, deri në shfuqizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Me theks të veçantë, opozita kundërshton marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe, të arritur më 25 gusht të këtij viti, duke e cilësuar atë si hap drejt ndarjes së Kosovës.

Të dëmshme për integritetin territorial të vendit, opozita e ka cilësuar edhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Partitë politike në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kritikuar ashpër veprimet e fundit të subjekteve politike në opozitë, përfaqësues të të cilave në dy raste kanë përdorur edhe gazin lotsjellës brenda sallës së Kuvendit për të ndërprerë punimet.

Autoritete të larta vendore dhe ndërkombëtare gjithashtu kanë kritikuar opozitën, duke i bërë thirrje që të shfrytëzojë pikërisht Kuvendin, për të ngritur përmes debatit shqetësimet që ka.

Skenari për sot i opozitës nuk dihet ende, por as ai të cilin do të mund ta zbatojë udhëheqja e Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button