Nuk kishte urdhër arrest për Kurtin

Dy ditë pas protestave të dhunshme të opozitës, Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka ka konfirmuar se prokuroria e tij nuk ka lëshuar urdhër arrest për Albin Kurtin.

“Nga prokuroria nuk ka pasur urdhër të shkruar për arrestimin e tij. Pas incidentit në Kuvend, prokurorja e rastit ka bërë një kërkesë për mbledhje të informacioneve dhe në këtë kërkesë është kërkuar që Kurti të intervistohet”, deklaroi Beka.

Kryeprokurori i Prishtinës sqaroi për KALLXO.com se policia i ka dorëzuar dy ftesa Kurtit për t’u paraqitur për intervistë, dhe pas refuzimit për t’u paraqitur në stacion, policia ka pasur të drejtë ligjore ta ndalojë Kurtin dhe ta intervistojë.

Situata e paqartë nëse policia kishte urdhër arrest për Kurtin u krijua pak minuta pas arrestimit të tij. Një grup protestuesish të cilët u mblodhën para ndërtesës së policisë kërkonin që të bëhej publik urdhri i prokurorisë për ta arrestuar Kurtin.

Para protestuesve bashkëpartiakët e tij deklaruan se Kurti ishte kidnapuar nga policia për shkak se atij në momentin e arrestimit nuk i ishte paraqitur urdhërarresti. Protesta e opozitës u përshkallëzua në dhunë dhe si pasojë e saj u lënduan 15 policë dhe një qytetar, si dhe u dëmtua stacioni i policisë “Qendra”, krahas 4 makinave zyrtare.

Në kohën kur protesta e dhunshme po vazhdonte, Kurti u lirua dhe në deklaratën e tij para Kuvendit të Kosovës ai u ankua se policia nuk i tregoi urdhrin e prokurorit për ta arrestuar.

Për dy ditë me radhë nga zyrtarët e policisë u kërkuan shpjegime nëse kishte ose jo një urdhër arrest të tillë. Në mes rreshtash, zëdhënësi i policisë Baki Kelani kishte konfirmuar se policia kishte pasur një urdhër për intervistim, por asnjëherë nuk përmendi urdhrin për arrestim.

“Urdhri për intervistim ka qenë për dy persona dhe Policia e Kosovës e ka pas për obligim ta zbatojë”, tha Kelani.

Drejtori i policisë Shpend Maxhuni në konferencën e djeshme nuk dha përgjigje të qartë nëse pati urdhërarrest për Kurtin. Maxhuni tha se arrestimi i Kurtit ishte kryer konform nenit 6 të ligjit të policisë.

Ky nen flet për detyrimet e policisë që të zbatojë urdhrat dhe udhëzimet e lëshuara në mënyrë të ligjshme nga prokurori publik ose gjyqtari kompetent.

Në kodin e procedurës penale, ndër të tjera, shkruhet se policia ka të drejtë të ndalojë persona të dyshimtë edhe pa urdhër të gjykatës nëse ata janë të dyshuar për vepra penale të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button