BDI të sqarojë konkretisht PSE kërkoi zgjedhje të parakohshme!

Mbetet enigmë se si BDI do të zgjidh çështjen e emrit përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe pse këtë nuk mund ta bëjë duke qenë tani në Qeveri por i duhet kërkuar edhe një mandat?! Ditëve të fundit dëgjojmë kërkesa të zëshme nga kjo parti për tu mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pritëm që në seancën e foltores së Parlamentit deputeti Nexhati Jakupi të sqarojë më konkretisht por dëgjuam fjalim abstrakt dhe fjalë që përsëriten pa lidhshmëri logjike.
LEXO: Jakupi: Ja pse BDI ka nevojë edhe për një mandat

I pyetur nga Portalb, zëdhënësi i partisë Bujar Osmani tha se kjo çështje do të përfshihet në programin zgjedhor të BDI-së për të cilin do të kërkohet mandat, por nuk zbardhi nëse kjo parti ka një plan konkret për t’i dhënë fund kontestit mbi dy dekadësh rreth emrit të shtetit. 

Askush nga kjo parti nuk përgjigjet në pyetjet konkrete:
1. Si mendon BDI ta zgjidh kontestin e emrit duke kërkuar zgjedhje të parakohshme?
2. Si mendon BDI ta zhbllokoje procesin e euro-integrimeve duke kërkuar zgjedhje të parakohshme?
3. Si mendon BDI ta zgjidh problemin e mos-pasjes së presidentit që do ti përfaqësonte edhe shqiptarët në të ardhmen duke kërkuar zgjedhje të parakohshme?

Deputetja Ermira Mehmeti mbetet e pakapshme ndërsa Nexhati Jakupi nuk tha asgjë përpos përsërtjes të asaj që sot e tha në foltoren e Parlamentit.

PORTALB: Na sqaroni konkretisht SI do ta zgjidhni çështjen e emrit nëse merrni edhe një mandat, PSE këtë nuk e bëni tani kur jeni në qeveri?
JAKUPI: Nuk kam çfarë të shtoj i thash të gjitha sot.
PORTALB: Po, mirëpo nuk sqaruat asgjë konkrete PSE zgjedhjet ofrojnë zgjidhje të: kontestit të emrit, zhbllokim të euro-integrimeve apo zgjedhjen e presidentit konsenzual në të ardhmen? Ku e bëni lidhjen ju mes zgjedhjeve të parakohshme dhe këtyre çështjeve që thoni se do ti zgjidhni? Pse këtë nuk e keni bërë deri më tani që jeni në Qeveri?
JAKUPI: Metëvërtetë nuk kam çfarë të shtoj dhe të them më tepër se sa ajo që thash në Parlament.

Kreu i BDI, Ali Ahmeti duke arsyetuar kërkesën e partisë që drejton ai për zgjedhje të parakohshme parlamentare theksoi pak ditë më parë se vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme Maqedonia mund të rikthehet në agjendën ndërkombëtare, dhe se çështja e emrit që mban peng integrimet euro-atlantike kërkon zgjidhje urgjente. Ahmeti madje tha se nëse zgjedhjet do të organizoheshin në afatin e rregullt në vitin 2015, mbase VMRO DPMNE do të arsyetohej se nuk është koha e duhur që të zgjidhjet kjo çështje.
Megjithatë as kreu i BDI-së nuk bëri të ditur se si pikërisht me këto zgjedhje të parakohshme do të ndikojnë tek partnerti i tij VMRO DPMNE që të zgjidhet çështja e emrit. 

Njohësi i çështjeve politike, Robert Nesimi thekson se arsyetimi i BDI-së nuk është sinqertë madje nuk ka të bëjë as me presidentin konsensual dhe as çështjen e emrit. 

“VMRO DPMNE dhe BDI dy herë kanë qenë në koalicion. Herën e parë VMRO kishte 63 deputetë ndërkaq BDI 18, pra VMRO kishte shumicën. Herën e dytë VMRO kishte 56, ndërsa BDI 15, dhe varej nga nga BDI, por as atëherë nuk u morën parasysh as çështja e emrit dhe as kandidati konsesnsual. Prandaj nuk kemi arsye përse tani të mendojnë se kjo strukturë qeveritare, e cila është evidente që do fitojë sërish, të zgjidh këto çështje, të cilat nuk treguan vullnet për t’i zgjidhur përgjatë këtyre vitesh”, vlerëson Robert Nesimi për Portalb.

Madje sipas Nesimit, VMRO DPMNE dhe BDI nxitën krizë të rrejshme përmes mosmarrëveshjes për kandidatin konsensual, me qëllim që të sigurojnë edhe mandatin e radhës teksa gëzojnë rejting të mirë, dhe të pengojnë forcimin e opozitës, sidomos të LSDM-së e cila filloi zbardhjen e një sërë skandaleve korruptive të qeverisë. 

Sipas Robert Nesimit, kërkesa e BDI-së për kandidat konsensual e cila do kërkohet përmes ndryshimeve kushtetuese, mund të realizohet vetëm nëse VMRO DPMNE, dëshiron një gjë të tillë. ‘Edhe tani po të zgjidhej presidenti në kuvend, ai sërish do të ishte nga radhët e VMRO DPMNE-së’, shtoi Nesimi.  /Portalb  

Lajme të ngjashme

Back to top button