fbpx

Shkolla e Slivnikut ende askund, nuk përjashtohet mundësia për bojkot

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Abdilaqim Ademi premtoi kohë më parë ndërtimin e një objekti të ri për shkollën fillore periferike “Vasil Glavinov” në Slivnik të Velesit, dhe tha se ky projekt do të jetë superior por deri më tani nuk ka lëvizur asgjë në këtë aspekt.

Nxënësit e kësaj shkolla vazhdojnë të ndjekin mësimin në kushtet e mjerueshme, kurse  MASH-i ende nuk ka shpallur tenderin për ndërtimin e një shkolle të re.

Mësimdhënësi pranë kësaj shkolle, Qemal Musa bën të ditur për Portalb se ende nuk ka asnjë informacion lidhur me projektin e ndërtimit gjë që e premtoi vetë ministri pas bojkotimit të mësimit të nxënësve të kësaj shkolle.

“Ministri ishte këtu e pa se në çfarë kushtesh punojmë dhe mësojnë fëmijët, ai premtoi se ky problem do të zgjidhet dhe ne kemi besim në të. Sa i përket tenderit ende nuk e dimë se a është shpallur mirëpo mësojmë Komuna ka kryer procedurat dhe ka miratuar vendimin për ndërtim por nga MASH nuk kemi ende ndonjë gjë konkrete”, tha për Portalb, Musa.

Ai shtoi se gjatë javës që vjen do të organizohet një mbledhje së bashku me prindërit që të vendoset për masat që do ndërmerren, sepse sipas Musës, në këtë objekt nuk mundet më të zhvillohet mësimi.

“Ne e kemi një gjë të keqe se besojmë shumë, u besojmë gënjeshtrave, ndoshta për arsye se nuk kemi rrugëdalje tjetër, nëse kjo shkollë nuk fillon të ndërtohet tani, do të thotë se edhe vitin e ardhshëm shkollor fëmijët duhet ta nisin këtu dhe kjo nuk është e mundur, sepse nuk ka kushte, kështu nuk mund të realizohet procesi mësimor. Mësojmë në klasë të improvizuar në tre ndërrime, këtë nuk e bën askush. Andaj do të takohemi me prindërit dhe do të mbajmë mbledhje në të cilën do të diskutohen hapat tonë, a do të bojkotohet sërish mësimi apo si të ja bëjmë që të na përfillin dhe plotësojnë kushtet elementare për mësim”, tha Musa

Kurse zëdhënësi i MASH-it, Goran Galevski kohë më parë bëri të ditur për Portalb, se së shpejti do të shpallet tenderi dhe në të ardhmen e shpejt do të ndërtohet kjo shkollë.

“Së shpejti pritet të shpallet tenderi dhe në të ardhmen e shpejtë do të ndërtohet ky objekt shkollor”, tha Galevski.

Ndërkaq në këtë shkollë mësojnë 84 nxënës të ndarë në 5 paralele, dhe momentalisht kanë vetëm një klasë dhe një klasë të improvizuar në të cilën ndjekin mësimin në tre ndërrime.

Lajme të ngjashme

Back to top button