Katër deputet të BDI-së deklarojnë dorëheqje, stema rikthehet në qeveri?

Në mbledhjen e kryesisë qendrore të BDI-së, ku kanë marrë pjesë ministrat dhe deputetët e BDI-së, Ali Ahmeti i ka njoftuar ata se para se propozimi për stemën e re të dalë nga qeveria ai për këtë është marrë vesh personalisht me Nikolla Gruevski. Njëri ndër deputetët e BDI që ka ofruar dorëheqje nëse kryetari Ahmeti i qëndron edhe më tej marrëveshjes me Gruevskin, thotë për Portalb, se nuk ka pasur prezantim të ndonjë marrëveshje të nënshkruar, por ky sqarim i Ahmetit ka mjaftuar për të deklaruar dorëheqjen katër deputet.

Kryetari Ali Ahmeti, nuk ka dhënë më shumë detaje rreth pëlqimit që ka dhënë për stemën e re me kryeministrin Gruevski. Deputeti i BDI-së, thotë për Portalb se edhe pse ka kohë për miratimin final të stemës së re, në BDI gjithçka është e qartë se përgjegjësia individuale e funksionarëve rëndon më shumë se pëlqimi që kryetari i ka dhënë kryeministrit Gruevski.

Më tej, mësohet që edhe ministri i drejtësisë Adnan Jashari i cili fillimisht doli në mbrojtje të stemës kinse ajo paska elemente shqiptare, ka thënë që do të dorëhiqet.

Jashari dhe shumica e deputetëve të BDI-së mbeten të pakapshëm për deklarata zyrtare, ata prononcohen vetëm jo-zyrtarisht.

Kjo përçarje dhe refuzim me gjasë do të detyrojë rikthimin e propozimit për stemën sërish në qeveri.

Deklarata zyrtare nga mbledhja

“Kryesia qendrore në përbërje të zgjeruar, me përfshirje edhe të deputetëve dhe ministrave, debatoi rreth iniciativës për ndryshimin e stemës së shtetit me ç’rast u konstatua nevoja për ndryshim të stemës aktuale që do të paraqes shkëputje përfundimtare nga e kaluara komuniste dhe nga ndikimi sovjetik në simbolet e shtetit si dhe do të reflektojë orientimin tonë perëndimor në përputhje me përcaktimet tona strategjike për integrim EuroAtlantik. Me këtë rast, u theksua nevoja për konsultim më të gjerë shoqëror me përfshirje të ekspertëve të fushës heraldike dhe historisë”/ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button