Rrjetet sociale vlojnë nga talljet dhe pakënaqësitë e shqitarëve ndaj stemës së re

Propozimi për stemën e re të Maqedonisë nuk duhet pranuar nga shqiptarët. Ai është skandaloz dhe nuk përfaqëson një shtet multienik siç është vendi ynë. Kështu thonë disa të anketuar shqiptarë nga Portalb. Ndërkaq në rrjetet sociale “vlojnë” komentet negative madje dhe talljet. Disa kritikojnë politikanët, kurse disa të tjerë tallen me fotografi të ndryshme dhe e quajnë stemën si qesharake dhe janë kundër saj.

Tallje me stemën e re
Tallje me stemën e re

Xhaferi: Luani (si kafshë) s’ka të bëjë asgjë me realitetin faktik në Maqedoni

“Unë mendoj se propozimi i qeverisë për të përdorur një luan si stemë të Maqedonisë është një nga orvatjet e shumta të tyre për të ndërtuar një të kaluar inekzistente në vend të ndërtimit të një të ardhme të shëndoshë dhe të sigurt për gjithë qytetaret. Luani (si kafshë) s’ka të bëjë asgjë me realitetin faktik në Maqedoni sepse luanët i kemi këtu vetëm në kopsht zoologjik dhe në projektin megaloman qeveritar Skopje2014”, tha Arianit Xhaferi, qytetar.

Latifi: Stema duhet të jetë e pranishme për të gjithë

“Simbolet shtetërore duhet të jenë pasqyrim i historisë dhe realitetit të një shteti, që gjë është e vështirë të arrihet duke njohur ‘historitë’ dhe ‘realitet’ në Maqedoni. Në 2014 pas gjithë këtij VMRO-izimi, luani nuk mund të lidhet me asgjë tjetër pos me ata që e kanë propozuar. Stema duhet të jetë e pranishme për të gjithë, ose do të ketë fatin e flamurit”, tha Anita Latifi, qytetare.

Ibrahimi: Kjo dukuri nuk ka të bëjë as me heraldikën, as me historinë, po më shumë me patologjinë e psikiatrinë

“Edhe sikur luani të jetë përdor nga ndonjë familje feudale shqiptare atëherë kur nuk ekzistonte vetëdija për kombin, e vërteta është se luani i propozuar për stemë të Maqedonisë është po ai luan që është simbol i VMRO-DPMNE-së. E, të besosh se kjo parti qenka mashtruar kaq shumë e kaq vite me këtë simbol “shqiptar”, atëherë kjo dukuri nuk ka të bëjë as me heraldikën, as me historinë, po më shumë me patologjinë e psikiatrinë”, tha Zeqirija Ibrahimi, qytetar.

Islami: I vetmi element shqiptar në të është leshi i luanit

“Mendoj se kjo që po ndodh rreth simboleve shtetërore është një nacionalizëm i thjeshtë, sikur duan të na thonë: S’ka vend për ju! Element shqiptar? Leshi i luanit – elementi shqiptarë në stemë!” thotë Sunullah Islami.

Luçi: Stema e propozuar është absolutisht e papranueshme për ne shqiptarët

“Ajo që stema e propozuar nga qeveria është një nacionale dhe bile një partiake është absolutisht e papranueshme për ne shqiptarët, mirëpo për mua edhe më skandaloze paraqet tendenca e partisë shqiptare në pushtet BDI që këtë stema ta paraqes stemë shqiptare. Ndoshta para shumë shekujsh ndonjë vend apo qytet i banuar me shqiptarë ka përdorur luanin si simbol, por kjo tash e sa shekuj është harruar dhe identitet shqiptar në asnjë rast nuk paraqet luani.  Pyes BDI-në,  pse bile nuk e bëjnë edhe kryqin pjesë të stemës, pasi që para shumë shekujve edhe kryqi ka qenë simbol i një pjese të shqiptarëve të atëhershëm. Dhe me këtë përfundimisht të na bind ne shqiptarëve që mes BDI dhe VMRO jo vetëm që nuk ka dallim nga aspekti programor, tash edhe nga simbolet e tyre janë bërë krejt NJË”, tha Daim Luçi, qytetar.

Bajrami: Me popullin shqiptar në vend bëhet një tallje e madhe

“ E vlerësoj skandaloze. Dhe më skandaloze është fakti që partia shqiptare në pushtet mundohet ta bind popullin Shqiptar që stema paska gjoja elemente shqiptare. Kjo është tallje shumë e madhe për në shqiptarët sepse mundohen të na trajtojnë si te paditur të historisë tonë shqiptare. Ne e dinë shumë mirë që Luani nuk i takoj pjesëve simbolike tona. Jo më kot Shkupi është i mbushur me statujat e luanëve nëpër rrugët e saja dhe s’do habitesha aspak nëse do dilte teoria që dhe ato statuja janë elemente shqiptare. Me popullin Shqiptarë në vend bëhet një tallje e madhe,më vjen shume keq për ne që nuk kemi guximin të reagojmë për ardhmërinë tonë. Meqë vet lejojmë kaq padrejtësi,po filloj të mendoj se e meritojmë gjithë këtë përbuzje që e kemi sot. Nga ajo që kam lexuar dhe dëgjuar as në Jugosllavi nuk jemi poshtëruar kaq shumë”, tha Enisa Bajrami, qytetare.

Rama: Stema skandaloze që nuk përfaqëson realitet historik

“Mendoj se propozimi për stemën ka dy prizma. Elementi i parë është se propozimi i stemës është paraqitur në një periudhë të vështirë politike sociale dhe ekonomike dhe kam përshtypje se kjo është një lojë e qeverisë për ta defokusu situatën në këtë sferë. Dhe e dyta konsideroj se është një stemë skandaloze që nuk përfaqëson realitet historik shpirtëror e aq më pak nacional dhe multientik të vendit tonë. Kishim një stemë socialiste tash kemi një stemë monarkike. Duhet më shumë diskutim publik dhe të propozohet një stemë më racionale dhe më e përshtatshme”, tha Ariton Rama, student.

Po ashtu Portalb realizoi një anketë nëpërmjet Facebook-ut lidhur me këtë çështje, e cila u komentua shumë dhe mund ta shikoni duke klikuar këtë link.

 

 

Pjese nga anketa per stemen
Pjese nga anketa per stemen

Lajme të ngjashme

Back to top button