Merovci: VV-së t’i mbetet kryeparlamentari, LDK-ja ta marrë presidentin

Anëtari i Këshillit Përgjithshëm të LDK-së, Adnan Merovci i ka bërë thirrje partisë së tij që të bëjnë kompromisin e duhur për të arritur deri tek një marrëveshje bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje. Merovci thotë se kryeministri dhe kryeparlamentari të merren si të mirëqena dhe t’i takojnë partisë fituese të 6 tetorit. Derisa LDK ta marrë presidentin si dhe të ketë lëvizje tek ndarja e ministrive.

Mandatimi i sotëm për kryeministër i Albin Kurtit ka bërë që të rrjedh afati Kushtetues prej 15 ditësh për formim të Qeverisë. Por pavarësisht këtij limiti kohor, Merovci për KP, thotë se ende ka kohë për të arritur një zgjidhje për koalicionin qeverisës.

Por për të arritur deri tek koalicioni qeverisës, Merovci thotë se posti i presidentit nuk duhet të diskutohet më, kurse, Vetëvendosja në formën bllanko duhet të votojë propozimin e LDK-së.

“Çështja e presidentit le që t’i takojë LDK-së, po mos të diskutohet më. Vetëvendosja nuk ka të drejt politike, por edhe politiko-morale të përmend pozicionin e presidentit me asnjë kusht. Për arsye se çështja e presidentit duhet t’i takojë LDK-së, pa pikëpyetje. Bile, bile Vetëvendosja duhet të lirohet prej të gjithave insistimeve për ndonjë ndërhyrje, por bllanko duhet të pajtohet që të jetë i LDK-së dhe propozim autonom i LDK-së… LDK-ja e ka një hapësirë për të bërë një kompromis të pa ndodhur deri më tash, sikur t’i pranojë këto dy pozita që kanë ndodhur, pa u kthyer tek këto, presidenti mos me u diskutu, por me lëvizë me çështje të ministrive”, thotë ai.

Merovci kërkoi nga liderët e dy partive që të rifillojnë takimet për të arritur deri te formimi i qeverisë.

“Po të jep shenja dhe të krijohen le të themi opsione të paralajmëruara, LDK dhe kryetari i saj është i gatshëm prapë të ulet, prapë të bisedohet. Megjithatë, 15 ditë nuk janë pak, njihen mes veti dhe mendoj që mundet dhe ka hapësirë për t’u gjendur një zgjidhje rreth këtij koalicioni”, u shpreh Mervoci.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së mes tjerash, thotë se qeveria e pakicës nuk është një zgjidhje për Kosovën.

Mëngjesin e sotëm, partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, ka dërguar mandatarin për kryeministër tek presidenti, Hashim Thaçi i cili më pas e dekretoi atë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button