Regjistrimi i popullsisë në RMV, do të ketë edhe kolonë për përkatësinë etnike

Regjistrimi i popullatës do të zbatohet prej më 1 deri më 21 prill të vitit 2020, informoi sot drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski. Sipas tij, tërë procedura do të jetë e kombinuar, nëpërmjet rrugës elektronike dhe me regjistrim në terren, për çka do të ndahen 8.5 milionë euro nga buxheti shtetëror, njofton Portalb.mk.

“Regjistrimi do të realizohet sipas standardeve të larta evropiane që i parashikon Eurostat, gjatë së cilës do të mënjanohen mundësitë për keqpërdorim. Zgjidhja softuerike e cila do të përgatitet do t’i njohë të dhënat personale të qytetarëve që njëherë janë futur, me çka do të pamundësojë që i njëjti qytetar të regjistrohet dy herë. Në praktikë kjo nënkupton se do të ketë regjistrim nëpërmjet ueb-aplikacionit dhe regjistrim në terren. Shteti do të ndahet në 45 rajone të regjistrimit, ndërkaq në tërë operacionin do të marrin pjesë 6.000 regjistrues”, tha Simovski.

Ai shtoi se, njëjtë sikur në vitin 2011, edhe këtë vit do t’i ketë të gjitha kolona për përkatësi etnike, kulturore, arsimore dhe demografike.

Personat që ndodhen në diasporë do të regjistrohen vetëm nëpërmjet rrugës elektronike, që do të thotë se nuk do të ndahen mjete që të dërgohen regjistrues jashtë vendit.

Sipas planit operativ të Entit për Statistikë, rezultatet përfundimtare nga regjistrimi do të priten në shtator të vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button