Edi Rama përgëzon Maqedoninë për hapjen e procedurës së ndryshimeve kushtetuese
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka përgëzuar Maqedoninë për votimin e nisjes së ndryshimeve kushtetuese për implementimin e Marrëveshjes së Prespës.
Në një postim në Twitter, Rama uroi për “lindjen” e kësaj republike të re, ndërsa nuk ngurroi të komplimentojë kryeministrin Zoran Zaev dhe të gjithë ata që punuan për të arritur këtë sukses.
“Gëzuar ditëlindjen Republika e Maqedonisë së Veriut. Urime të përzemërta kryeministrit Zoran Zaev dhe të gjithë atyre që luftuan për këtë moment historik. Një derë e re e të ardhmes u hap sot për dy popujt tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shkroi Rama në Twitter.
Qeveria e Maqedonisë ia doli mbanë të sigurojë votat për të miratuar nismën për ndryshimet kushtetuese, që i hap rrugën ndryshimit të emrit nga Republika e Maqedonisë ,në Republika e Maqedonisë së Veriut, e po ashtu edhe rrugën drejt integrimit euroatlantik të fqinjit tonë.
Në Kuvend votuan pro 80 deputetë, sa 2/3-tat e nevojshme për ndryshime kushtetuese. Tashmë qeverisë i jepen 15 ditë kohë për të paraqitur në Kuvend amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës.