Aty ku manipulimet me emocione që “i ha pazari” shiten si lajme, nuk ka gazetari profesionale

Burimi: KriThink

Pse lexuesi nuk duhet të bëhet “viktimë” e informatave të cilët kanë për synim përmes manipulimit me emocionet e tyre, të shiten si “lajme” të besueshme? Si mund lexuesi të njohë këto shkrime që bazohen në sulme personale dhe kanë prirje të vërtetojnë vetëm atë që autori dëshiron të shfaqë, por jo dhe realitetin objektiv?

Shkruan: Ferikan Iljazi

Thirrja në emocionet e lexuesit mjegullon gjykimin e drejtë për temën që shkruhet

Një nga teknikat manipuluese që përdorin autorët që zakonisht janë të panjohur dhe thuajse gjithnjë i hasim në platformat “online” kur sajojnë dhe shkruajnë tekstet e tyre është “Thirrja në emocione”. Sipas të njëjtës, në tekst përdoret argumentimi që nuk mbështetet në faktet objektive por në bindje, ndonjëherë personale të autorit, ndonjëherë dhe të masave të caktuara.
Gjuha që përdoret është simbolike, e fuqishme dhe ka për qëllim të godasë emocionet e lexuesit me qëllim që ai të besojë në atë që shkruhet dhe të bindet. Thuajse gjithnjë, tekstet e tilla kanë edhe fotografi “tronditëse” apo fotografi që të ngjallin emocionet themelore njerëzore: mllef, gëzim, hidhërim, simpati, e tjerë. Duke pasur parasysh fuqinë e bindjes që kanë emocionet, autori me qëllim i aktivizon ato në tekst, me mjeshtëri duke fshehur se nuk ka fakte për të argumentuar logjikshëm dhe racionalisht.

Sulmi kundër personit dhe jo kundër çështjes

Kur një autor dëshiron lexuesi të bindet dhe të besojë në atë që ai ka shkruar por që nuk ka fakte për ta dëshmuar vërtetësinë e shkrimit, ai përdor teknikën “Sulm personal”. Tendenca e tillë bëhet me qëllim duke diskredituar dhe duke fyer personalisht personin por jo dhe fenomenin për të cilin ai shkruan. Nëse autori nuk ka fakte për të bindur lexuesin se një tezë e dhënë nga dikush është e dëmshme, ai i qaset punës për të bindur lexuesin se “pse” personi që qëndron pas idesë apo tezës është “i keq” dhe e hedh poshtë personalitetin e tij.

Autori “me zor” ju bind se ai ka të drejtë

Në një shkrim që nuk mund të quhet lajm, mund të hasim dhe tendencën e autorit për të konfirmuar atë që ai e mendon dhe jo atë që në të vërtetë është e saktë. Kjo teknikë manipulimi quhet “Tendenca për të konfirmuar pikëpamjen personale”. Në këtë rast, autori i shkrimit merr përsipër detyrën e gjetjes së gjitha elementeve të cilët do të ndihmonin që ai të dëshmojë se ka të drejtë. Ai selekton informatat, fotografitë, fjalët dhe madje edhe faktet të cilët i duhen autorit për të formuar një “lajm” të plotë e cila anon kryekëput nga një ide, që zakonisht është ideja e vetë autorit.


Shembulli që më së miri i pasqyron këto teknika është ky tekst që lidhet me reagimet e shumta për filmin “Tallja me Krishtin”. Pasi dihet se ka persona të ndjeshëm ndaj këtij filmi që paraqet skena që thuhet se janë me përdhosjen e figurës së UÇK-së, autori i tekstit e ka shfrytëzuar këtë “dobësi”, dhe e ka bërë një lajm për gjoja “lumturinë” e ish drejtorit të Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov gjatë premierës së këtij filmi.

Të deshifrojmë për lexuesit: pse ky shkrim nuk është lajm?

Në këtë tekst ka tentativa për të manipuluar me ndjenjat e lexuesve, posaçërisht atyre shqiptar pasi ato lidhen me figurën e UÇK-së.

  1. Duke e treguar si “të lumtur” Çavkovin, autori ka dashur që lexuesve tu mbjellë ndjenja të urrejtjes dhe emocione negative pasi që “një ish funksionar maqedonas qeshet dhe tallet me figurën e luftës”.
  2. Ç’është më tragjike, është fakti që fotografia as që dëshmon se ai ka ndonjë emocion lumturie.
  3. Por kjo gafë nuk e ka ndalur autorin të publikojë tekstin në të cilin ai duke ia dhënë atributin se qenka i lumtur “me një film që është fatkeq për ata të cilët e çmojnë simbolin e luftës shqiptare”, ai sulmon personalisht figurën e ish funksionarit duke e bërë atë person të keq që gëzohet në fatkeqësinë e tjetrit.
  4. Me këtë shkrim autori ka lënë anash gjitha faktet e tjera dhe ka zgjedhur të pasqyrojë pikëpamjen e tij se Çavkovi na qenka i lumtur.

Të mos harrojmë, Kodi Etik i Gazetarëve të Maqedonisë lidhur me këtë situatë thotë:

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)

Lexuesi të ketë kujdes nga tekstet nxitëse të emocioneve

Në botën ideale të gazetarisë shkrimet e këtilla as që do shfaqeshin në horizontin medial. Fotografitë e një premiere do të ishin pjesë e një shkrimi i cili do të përbënte lajm për premierën dhe nuk do të koncentrohej në interpretimin e fytyrave të pjesëmarrësve, a janë të lumtur ose jo. Lexuesi kur të sheh një tekst të këtillë që nuk përbën asnjë interes publik, por që thirret në emocione, duhet menjëherë të kërkojë faktet objektive, të vendose në dyshim motivet e autorit dhe nëse autori është i panjohur të dijë menjëherë se shkrimi nuk është lajm standard gazetaresk.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP