Iluzioni melodik i dhembjes dhe kthimit në atdhe

Objekt i këtij shkrimi është vepra Polifonistët – njëri prej romaneve të fundit të Sagës ballkanike të Luan Starovës, i cili aktualisht është shkrimtari më i njohur shqiptar në botë pas Ismail Kadaresë.

Romani trajton temën mitologjike të etnogjenezës shqiptare dhe ka për hero këngën polifonike, nëpërmjet së cilës jepet përpjekja e përhershme e Babait (heroit të Sagës ballkanike) për të mbrojtur identitetin e familjes në rrethana egzili. Këtë betejë kësaj here ai e bën bashkë me dy protagonistë të tjerë të romanit – Durim Çamin dhe Trim Zagorçanin, dy bashkëvendasit azilkërkues, dy mjeshtërit e këngës polifonike, që shtëpinë e Babait në Shkup e vizitojnë dendur gjatë kohës së pritjes së vizave për t’u nisur në misionet e tyre (në Çamëri e Turqi) me qëllim të mbajtjes gjallë të shpirtit shqiptar nëpërmjet këngës polifonike, sepse, bashkë me Babain, janë të bindur se vdekja e këngës nënkupton edhe vdekjen e kombit.

Misioni i tyre është ai i Prometeut që ua dhuron njërëzve zjarrin, misioni i Odiseut që nëpër skila e haridba këmbëngul të kthehet në Itakën e tij. Parë nga ky aspekt, mbrojtja e tipareve identitare nëpërmjet këngës polifonike, si memorje mitike dhe si kumt që ua kujton shkularakëve atdheun e harruar, është vetëm njëri prej versioneve të kthimit tek rrënjët, të cilin Luani e ka tematizuar më herët në romanin “Udha e ngjalave” dhe jo vetëm.

*

Romani hapet me fjalitë: Që nga vitet më të hershme të jetës, në këngët trezërëshe dhe katërzërëshë polifonike nisa ta zbuloj fshehtësinë e mbijetesës së familjes sime shqiptare gjatë viteve të egzilit të saj”… “Sa herë që Nëna nuk kishte miell për ta zënë brumin e ekzistencës së familjes, shtëpia mbushej me tingujt e këngës polifonike, me himnin e shpresës sonë…

Kjo hyrje e bën të qartë arsyen e shfrytëzimit të këngës polifonike nga ana e autorit si njërën prej metaforave të mëdha gobale të korpusit të tij romanor prej 16 perlash narrative.

Jo rastësisht, filozofi dhe esteti i kalibrit evropian Ferid Muhiqi, në studimin me titull Për shpirtin e pastër të popullit, polifoninë e sheh si kod të brendshëm të memorjes kombëtare, si element të stërlashtë primordial, si çerdhe sekrete, ndoshta të tiparit kyç identitar, mbi të cilin nuk ka pushtet as vdekja, si lajt-motiv të romanit me një fabul të ndërlidhur me fatin e familjes shqiptare në egzil, identiteti i së cilës varet vetëm prej mbijetesës së këngës polifonike, vetëm prej këndimit të saj nga anëtarët e familjes.

*

Babai beson se kënga polifonike, të cilën njerëzit e marrin me vete kur shpërngulen, me shpresë se ajo do t’i mbajë të bashkuar në dhe të huaj, është zëri i Zotit, që fton njerëzit për mirëkuptim dhe solidaritet, është shpëtimtarja e identitetit të njerëzve në rrethana kur ai rrezikohet; është kënga më afër misterit të jetës, në të cilën qëndron shpëtimi nga labirinti i egzilit, është pararendësja e fjalës, fuqia e së cilës mund ta shpëtojë edhe gjuhën e lashtë stërgjyshore, është iluzioni melodik i dhembjes dhe i kthimit në atdhe, është epope e pandalshme vuajtjesh, element përbashkues – sinonim i Atdheut dhe i shpirtit të etnisë, element rinjohës ndërmjet njerëzish të një gjaku, roje e identitetit, simbol i pavdekshmërisë, metaforë e falëndrimit dhe virtyt i shpirtit human, çerdhe e paprekshme dhe e fshehtë ku banon kuptimi i njerëzimit…, lejenjoftim dhe klithmë madhështore e kombit, diçka më shumë se gjuha, e cila në vend të huaj vdes më shpejt se kënga…

Për shkak të vendosjes së këndimit polifonik në fabulën e romanit, ai konsiderohet vepër erudite dokumenare, me tezë dhe me inspirim të thellë universal e humanist, roman për të cilin është thënë se  prek një hipotezë fisnike, një sugjestion sipas të cilit, ndoshta gjithë popujt e botës shpirtin e vërtetë e kanë në ndonjë këngë, të cilën ndërkohë e kanë harruar, roman në të cilin kënga polifonike ngrihet në nivelin e metaforës nacionale dhe universale, vendoset mbi besimet fetare, madje mbi simbolin kombëtar dhe gjuhën shqipe, mbi gjithçka që zhbëhet në rrethana trysnie, në të cilat arrin të mbijetojë vetëm kënga polifonike me aftësi të pashtershme regjeneruese, të cilën nuk mund ta vrasë kush, sepse posa meket njëri zë i këngës, zëvendësohet nga zëri tjetër dhe kënga vazhdon…

Ashtu si në romanet tjerë të Sagës, edhe në romanin Polifonistët  Luan Starova është i veçantë për një mori arsyesh, duke nisur që nga tematika, teknika narrative, mesazhet humane, etnizmi karakteristik, bashkëjetesa e dokumentares me imagjinaren, njerëzores me mitiken, struktura shumëformëshë e rrëfimit, diskurset dhe sistemet e ndryshme të të menduarit, të integruara harmonishëm në vepër, rrëfimi i tipit diskontinuel, shmangia nga linja fabulore lineare, shtresat ndërtekstore të rrëfimit asociativ, stili i thjeshtë dhe i përshtatshëm për lexuesit e të gjitha kategorive, që natyrisht, jo njësoj arrijnë të depërtojnë në shtresat e padukshme të tekstit, në anën e nëndheshme të letërsisë.

Polifonistët është roman i rrëfyer me një qetësi të lindur dhe ironi të rafinuar, libër i hapur me mundësi zgjerimi, dëshmi e talentit dhe erudicionit të autorit, që kthen me sukses në faqe letërsie dramën individuale në dramë gjithnjerëzore, që evokon bindshëm fatin jetësor të kryeheroit të veprës së tij Babait, në jetën e të cilit banon dhe jeta e autorit.

Ky pra është, me pak fjalë, njëri prej romaneve të fundit të Sagës ballkanike, që ka për temë etnogjenezën dhe etnopsikologjinë shqiptare, të ushqyer me mikrotemat e panumërta të autorit, që prekin shumë momente dhe fenomene të panjohura dhe të palexura më herët në ndonjë roman tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button