Kosovë, dështoi edhe një përpjekje për platformën e dialogut me Serbinë

Në mungesë të partive më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të enjten ka dështuar një tjetër takim i partive politike parlamentare, të cilin e kishte thirrur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për të arritur unitet rreth platformës për dialogun me Serbinë.

Pavarësisht mungesës së partive më të mëdha opozitare, pjesë e takimit kanë qenë përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate dhe Alternativës.

Veseli ka theksuar se rezoluta për dialogun, e cila është propozuar nga partitë e koalicionit qeverisës, është e hapur për të përfshirë gjithçka që mund të përforcojë qëndrimin e Kosovës në ballafaqimin me Serbinë, në kuadër të dialogut, transmeton Koha.net.

Ai edhe një herë ka ftuar LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje që të marrin pjesë në krijimin e një qëndrimi unik të vendit për qasje në dialog.

“Nuk mund të jetë Kosova, proceset e saj historike – do të thotë, ballafaqimi me Serbinë – fushëbetejë për luftën për pushtet. Më i rëndësishëm territori, sovraniteti, më e rëndësishme është e ardhmja jonë euroatlantike, se sa çdo kolltuk i pushtetit, të cilin mund ta kemi sot apo hipotetikisht, në të nesërmen. Është gabim historik në qoftë se i japim mundësi që me ndarjen tonë, me mosarritjen e konsensusit tonë, t’i japim hapësirë Serbisë që ta tregojë veten të moderuar dhe t’i japim mundësi Vuçiqit që të flasë në emrin tonë”, ka thënë Veseli.

Megjithatë, takimin me përfaqësuesit që ishin të pranishëm sot, Veseli e ka vlerësuar konstruktiv dhe parimor.

Ai ka theksuar se sërish do t’iu bëjë ftesa partive politike për takime, qoftë të ndara, qoftë të përbashkëta, për të arritur konsensusin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP