Senati Amerikan i kërkon Trumpit “hetim për gazetarin Khashoggi”

Komiteti i Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë i ka kërkuar presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, fillimin e hetimeve në kuadër të “Ligjit Global Magnitsky për përgjegjësitë e të drejtave të njeriut” në lidhje me fatin e gazetarit Jamal Khashoggi, për të cilin nuk ka asnjë lajm pasi ai hyri më 2 tetor në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një grup senatorësh republikanë dhe demokratë u bashkuan dhe i dërguan një letër duke i kërkuar presidentit Trump një hetim për zhdukjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Senatorët siç janë kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, senatori i rajonit Tennessee, republikani Bob Corker, anëtari i lartë i komitetit, senatori për New Jersey, Bob Menendez, senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, dhe senatori demokrat, Patrick Leahy, në letrën e tyre i kanë kërkuar presidentit Trump një hetim për rastin Khashoggi.

Në letrën e nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komitetit përveç senatorit republikan të Kentucky, thuhet se “Në kuadër të Ligjit Global Magnitsky për përgjegjësitë e të drejtave të njeriut, kërkojmë nga ju vendim në çështjen e zbatimit të sanksioneve ndaj personave të huaj që kanë rol në ndonjë shkelje në lidhje me rastin Khashoggi”.

Ndër të tjera në letrën e senatorëve ka tërhequr vëmendjen shprehja “Pritshmëria jonë është që ju duhet të merrni parasysh informacionin për zyrtarët e lartë të qeverisë së Arabisë Saudite në marrjen e vendimit tuaj”.

– Ligji Magnitsky

Në rast të një kërkese nga Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit, Ligji Magnitsky, i sjell kusht presidentit të SHBA-ve për hetim në kuadër të “ekzekutimeve të paligjshme, torturave dhe shkeljeve të tjera të rënda kundër një individi që ushtron lirinë e shprehjes”.

Sipas ligjit, presidenti amerikan pas kërkesës së komitetit duhet të paraqesë një raport që përfshin gjetjet për kërkesën në fjalë si dhe nëse ka vendimin e sanksioneve ndaj personit apo personave të huaj të përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut.

Ligji Magnitsky u miratua në SHBA në vitin 2012 pasi Sergey Magnitsky, një prej avokatëve të fondit Hermitage Capital Management humbi jetën teksa ndodhej i burgosur në Rusi në vitin 2009, ku SHBA-ja dhe vendet europiane duke mbrojtur idenë se nuk kanë marrë masat e nevojshme gjatë burgimit kërkuan dënimin e zyrtarëve përgjegjës rusë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL