Me titull të “rëndë” por me lajm të paverifikuar, kështu nuk bëhet gazetaria

Burimi: KriThink

Bombardimi i vazhdueshëm me informata e ka bërë publikun të hutuar dhe pa një “filter” me të cilin do të mund të dallonin se çfarë është lajm i rrejshëm ose jo, dhe çfarë është ekzagjeruar ose jo në titull. Shumica e teksteve që lexojmë kalimthi na japin pasqyrë krejtësisht tjetër në titull, ndërsa flasin për diçka tjetër në brendi. Por ka tekste që përhapin dezinformata edhe në titull edhe në tekst. I tillë është rasti në këtë tekst.

Linku deri te artikulli: Keqpërdorimi i veturës së Qeverisë – transportojnë speca për turshi

Data e publikimit: 06.10.2018

Data e recensionit: 07.10.2018

Recensuese: Ferikan Iljazi

Kujdes me titujt bombastik, thuajse gjithnjë janë vetëm për senzacionalizëm

Autori i këtij teksti fillimisht ka provuar fatin për të habitur lexuesit me titullin tërheqës, që e di se tërheq interes te lexuesit e Maqedonisë që kanë parë raste të tilla të keqpërdorimit të makinave zyrtare edhe më herët. Shkruan “Keqpërdorimi i veturës së Qeverisë – transportojnë speca për turshi”, dhe ky titull qoftë mua si gazetare por qoftë edhe lexuesin e rëndomte do të na tërheq, pasi bëhet fjalë për paratë tona, dhe për një mënyrë primitive të keqpërdorimit të pushtetit dhe të mirave të tij.

Përmbajtja e varfër me fakte, të shtyn të mendosh dy herë

Por, sa hyn në tekst, sheh një fotografi të paqartë të një makine të cilës madje as nuk i duken qartë targat.

“Vazhdon keqpërdorimi i veturave zyrtare nga ana zyrarë të institucioneve të ndryshme shtetërore dhe publike.
Qytetarë të ndryshëm po raportojnë çdo ditë se si zyrtarët shtetëror me vetura zyrtare po kalojnë vikendin në bregdetin shqiptar dhe vendet tjera turistike të Ballkanit”

Duke lexuar këtë pjesë të tekstit, supozoj se bëhet fjalë për makinë zyrtare të Kosovës, por nuk ka fakte për këtë gjë, prandaj edhe nuk do të supozoj, pa qenë e sigurtë dhe pa patur provë konkrete, ose fotografi më të qartë të targave.

Tentim për lexueshmëri duke hutuar lexuesit nga trojet shqiptare

Është fakt se ka speca për turshi në të, por kush e di se është makinë zyrtare, me çfarë dëshmie e mbështet tekstin autori. As nuk dihet nëse është makinë zyrtare dhe as nuk dihet se a është e Maqedonisë ose ndonjë vendi tjetër. Për më tepër, këtë foto e ka nxjerrë portal nga Maqedonia, dhe kjo të bën të mendosh se keqpërdorimi është bërë dikund në Maqedoni.

Më tej, autori ka dënuar këtë fenomen, por duke vazhduar me manipulimin sikurse të flet për ndonjë rast në Maqedoni pasi tekstin e ka klasifikuar në rubrikën lajme, dhe nuk e ka vendosur për shembull te rubrika e rajonit.

Kodi Etik i gazetarëve është i qartë sa i përket këtij rasti. Kur ndeshim lajme të tilla, duhet të ndajmë të vërtetën nga të pavërtetën, ose informatën e besueshme nga manipulimi. Lexuesi duhet ta ketë të qartë lajmin, sikurse emrin e vet, pa lejuar hapësirë për keqinterpretim.

Kodi Etik i Gazetarëve të Maqedonisë thotë se:

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”

Pse “lajmet e tilla” nuk janë lajme

Kur hasin në lajme të tilla, lexuesit duhet të kenë parasysh të marrin me rezervë llojet e informatave dhe mënyra si ju servohet. Nëse një medium vërtetë punon për “të mirën” e popullit duhet të ketë fakte dhe jo si në këtë rast, disa fjali lidhur me një foto që nuk e ke idenë nga vjen. Kur ta shihni një lajm të tillë, pa autor dhe që nuk tregon kush dhe si ka bërë shkelje zyrtare, ju lexues duhet të dini që pas të njëjtit nuk fshihet gazetaria por tendenca për senzacionalizëm por jo për gazetari.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP