NATO: Për FSK-në të konsultohen edhe aleatët dhe komunitetet në Kosovë
Përderisa Kosova po i afrohet votimit të tri projektligjeve me të cilat pritet të zgjerohen kompetencat e Forcës së Sigurisë, NATO ka bërë thirrje për “konsultime të gjera” me “të gjitha komunitetet”.
NATO tha të premten për BIRN se e mbështet “zhvillimin e vazhdueshëm” të FSK-së, por tha se ndryshimet madhore duhet të bëhen pas konsultimeve me të gjitha komunitetet e prekura, dhe me vetë Aleancën.
“Është e rëndësishme që çdo iniciativë rreth mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës të konsultohet gjerësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe aleatët e NATO-s”, tha NATO në një përgjigje me shkrim për BIRN.
FSK është një forcë profesionale dhe burim i stabilitetit në rajon, tha NATO, duke shtuar se Aleanca mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë përmes misionit të vet paqeruajtës, KFOR.
Tri draft-ligjet që e zgjerojnë mandatin e FSK-së do të dalin për votim në Kuvend së shpejti, pasi janë shqyrtuar nga qeveria e Kosovës dhe Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.
Siç ndodh rrallë herë në Kosovë, draft-ligjet janë mbështetur të martën në komision parlamentar nga të gjitha partitë politike, përveç përfaqësuesve të Listës Serbe.