Letërsia shqipe në Maqedoni në vigjilje të demonstratave të 1968-ës

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Vitet e ’60-ta ishin vite të ndarjes së botës në dy blloqe antagoniste, vite të luftës së ftohtë e të frikës nga katastrofat bërthamore, vite të zhgënjimit të akumuluar që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, vite kur u ngrit muri i Berlinit, si sinonim i hendekut të sterthellë midis Lindjes e Perëndimit, që ushqenin synime krejtësisht të kundërta nga njëri-tjetri. Synimet ekspansioniste dhe pushtuese, ndrydhja e lirive dhe të drejtave individuale e kolektive dhe pakënaqësia në rritje e njerëzve, ishte e njëjtë në të dy taboret. Ndryshonte vetëm mënyra e manifestimit të revoltës së akumuluar përgjatë dy dekadave të pasluftës, ndryshonin vetëm heronjtë dhe viktimat e sistemeve satrape. Kështu, gjersa në taborin lindor ndodhte sfida unikate e Jan Pallahut (për shkak të pushtimit rus të Çekosllovakisë) dhe tmerret e gulagëve e goli-otokëve, në perëndim, përmes një likuidimi fizik, tentohej edhe vrasja e ëndrrës së madhe të Martin Luter Kingut për ta parë botën pa shtypje e diskriminime racore.

Ishte e qartë: njerëzimi kishte kapërcyer moshën miturake dhe kërkonte shkëputje të përgjithmonshme nga kthetrat e kapitalizmit të egër e sfrutues dhe nga diktatura totalitare  komuniste.

*

Kjo kohë e furtunshme i gjeti shqiptarët e Maqedonisë në një pozitë shumë të palakmueshme, me një prapambetje që kërkonte kohë për t’u kapërcyer… Intelektualët e paktë krijues të kësaj ane i qenë nënshtruar syrit vigjilent rankoviqian, pa mundësi reale veprimi, sepse republika jugosllave e Maqedonisë pranoi ta luajë rolin e sejmenit të devotshëm dhe të perdorshëm serb, duke i persekutuar shqiptarët dhe duke vënë në sprovë durimin e tyre. Megjithatë, falë rezatimit të fuqishme që nisi të vijë nga ish krahina autonome e Kosovës, falë figurave largpamëse të tipit të Esad Mekulit, që me altruizmin e pashoq mëkoi, frymëzoi e nxiti krijuesit e paktë të kësaj ane, edhe këtu nisi të kultivohet gazetaria dhe publicistika në gjuhën e bukur shqipe, u rrit e doli në skenë një brez i ri krijuesish letrarë me afinitete për të kapur me kohë vibrimet dhe tërmetet rrënuese të një shoqërie të kalbur që vetëm së jashtmi dukej liberale.

*

Temat për të cilat mund të shkruhej ishin të pakta dhe të kontrolluara me shumë kujdes nga zhdanovët vigjilentë të sistemit të hurit e të litarit. Përtej këtyre shtërngesave arrinin të kapërcejnë vetëm krijuesit më të guximshëm, që i merrnin parasyshë edhe persekutimet që mund të binin mbi kurrizin e tyre.

Shfletimi i revistës kulturore JEHONA, të vetmes në gjuhën shqipe asokohe, na njeh me emrat e krijuesve të paktë shqiptarë të viteve të ’60-ta, si:. Murat Isaku, Abdylazis Islami, Murteza Peza, Ali Aliu, Luan Starova, Ali Vishko, Xhevat Gega, Remzi Nesimi, Nuhi Vinca, Adem Gajtani, Ibrahim Veliu e ndonjë tjetër. Natyrisht, nëpër faqet e revistës në fjalë frekuentonin edhe disa emra krijuesish shqiptarë nga Kosova, kurse të tjerët ishin kryesisht autorë të përkthyer maqedonas, serbë, rusë… dhe studiues/ krijues shqiptarë të marksizëm-leninizmit.

Po sjellim në vijim tipet e shkrimeve që botonin disa nga krijuesit e posapërmendur në periodikun letrar të asaj kohe në Maqedoni, brenda periudhës kohore prej 5 vitesh (1965-1969).

Murat Isaku (njëri prej autorëve të njohur të letërsisë shqipe, që, më 1965 kishte arritur të botojë romanin e tij “Dielli e din rrugën e vet” dhe disa përmbledhje poetike…) angazhohej për njësimin e gjuhës shqipe dhe shkruante mbi Lasgush Poradecin atëherë kur në shtetin Amë nuk e konsideronte kush për të gjallë…; Xhevat Gega botonte studime mbi veprën madhore të Fan Nolit; Në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, Ali Aliu shkruante artikuj të guximshëm për të drejtat në mungesë të shqiptarëve (veçmas atyre të Tetovës…); Luan Starova merrej me autorët e shquar perëndimorë – Zhak Preverin, Viktor Ygoin, Lui Aragonin…, në një kohë nuk ishin fort të preferuar; Remzi Nesimi shkruante për veprën monumentale albanologjike të Eqrem Çabejt dhe veprat e Rilindjes Kombëtare; Ali Vishko dhe Skënder Rizaj botonin studime historike mbi Skenderbeun; Nuhi Vinca botonte krijimtarinë tonë të pasur e të veçantë folklorike etj.

Në revistën JEHONA botoheshin dhe poezi të zgjedhura, në mesin e të cilave kishte dhe të tilla që shquheshin për vrullin dhe tabanin e fortë kombëtar. E tillë ishte poezia e Ali Podrimjes me titull shumë xigëlues e domethënës: “Kush preku fundin e detit s’asht ma mes nesh”, që nis me vargjet emblematike:

Bukuria s’asht bukuri,

nëse s’e ka shëmtimin e vet –

kush preku fundin e detit s’asht ma mes nesh…

Të guximshme për kohën ishin dhe poezitë e Beqir Musliut kushtuar Skënderbeut, ose poezia me titullin “Dasma” e poetit të njohur tetovar – Abdylazis Islamit, ku, mes tjerash, i këndohet Flamurit dhe trimërisë kombëtare:

Flamurin e gjakut vashat e stolisin

Me lulet e kujdesit shpirtëror

Djelmoshat lisa shtrembërojnë plisin

Si shenjë të fisit arbëror…

*

Siç mund të shihet, krijuesit tanë të paktë në numër, bënë atë që mundën dhe u përpoqën shumë për të kultivuar shpirtin dhe vetëdijen kombëtare, në rrethana kur edhe zyrat e punës i ndanin me hafije të paskrupullt, që në të njëjtën revistë botonin reçensione dhe studime të shtrembëruara mbi të shkuarën tonë, të shkruara nga Akademia ruse e shkencave; artikuj mbi rolin edukativ të veprave e të filmave mbi Leninin; ode për madhështinë e kongreseve të PKJ-së dhe prijësit komunistë jugosllavë; penegjerikë për Marksin e pavdekshëm dhe sistemin e tij të pagabueshëm; vjersha për Metohinë…

Në pamundësi të shpalimit publik të pozitës së vërtetë të shqiptarëve në këto hapësira, krijuesit letrarë shfrytëzuan mjetin e vetëm të tyre – gjuhën ezopike, gjuhën e alegorive të kapshme, shpesh duke i projeketuar temat dhe motivet në kohëra të tjera, ku vuajtjet dhe egzodet/shpërnguljet masive të shqiptarëve përndjeheshin përmes marrjes së haraçeve gjatë sundimeve të mëhershme, përmes karvaneve të pafund të nizamëve, përmes kalvareve të kurbetqarëve…, që në fakt ishin aludime për ngjarjet e kohërave aktuale.

Pra, mund të thuhet se letërsia dhe kultura shqiptare e viteve të ’60-ta, e viteve të demonstratave dhe lëvizjeve të mëdha liridashëse, posaçërisht letërsia që kultivohej në hapësirat tona, ishte e paktë në prurje cilësore e sasiore. Mëgjithatë e mjaftueshme për rrethanat e kohës, sa për të hedhur farën e një të ardhmeje ndryshe. Krijuesit e asaj kohe kultivuan aq sa mundën letërsinë shqipe, shpaluan shpirtin dhe filozofinë e njeriut tone, kultivuan ndjenjën për kombin dhe për atdheun… Disa prej tyre dhanë kontribut të paçmueshëm edhe për unifikimin e gjuhës shqipe dhe vunë bazat e një letërsie dhe kulture frytet e sëcilës shpresojmë të ndihen akoma më mirë në vitet që vijnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP