PSD: “Për” në referendum, kundërpërgjigje ndaj politikave shtypëse dhe mundësi për shoqëri të barabartë  

Partia Socialdemokrate nga Kosova, i fton të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, që të marrin pjesë në referendumin konsultativ për miratimin e Marrëveshjes së Prespës, njofton Portalb.mk.

Sipas tyre, zbatimi i kësaj marrëveshje midis Maqedonisë dhe Greqisë ka një rëndësi të veçantë për bashkëpunimin e domosdoshëm rajonal, në kushte barazie dhe sipas parimeve të fqinjësisë së mirë.

“Dita e 30 shtatorit duhet të jetë një kundërpërgjigje popullore edhe ndaj elitave shoviniste e shtypëse në të dy vendet, të cilat e përdorin që gati 30 vjet çështjen e emrit të Maqedonisë për t’i fshehur dhe legjitimuar politikat e tyre përjashtuese, eksploatuese dhe diskriminuese. Dita e 30 shtatorit duhet të dëshmojë se vetëm qasja progresive dhe politikat progresiste garantojnë paqen e qëndrueshme dhe mundësinë e barabartë për zhvillim për të gjithë. Referendumi për çështjen e emrit të ri të Maqedonisë është edhe përgjegjësi për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, për përshpejtimin e reformave që do t’ia kthenin shtetin qytetarëve dhe që do zhvillohej drejt krijimit të një mjedisi kushtetues e politik gjithëpërfshirës dhe të barazuar; që mundëson liri e mirëqenie dhe që garanton solidaritet e drejtësi për të gjithë”, thonë nga PSD.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.

Marrëveshjen me Greqinë në gjuhën shqipe mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button